Real Madrid është gjithmonë protagonist kur bëhet fjalë për merkato. Paratë nuk janë problem për “Los Blancos”, të cilët janë çdoherë gati të përforcojnë skuadrën me elementë cilësorë.
Ëndrra e madhe e Florentino Perez është Kylian Mbappe, por kreu i klubit spanjoll ka edhe një dëshirë për mesin e fushës. Ai është Sergej Milinkovic-Savic. 25-vjeçari është një nga pikat më të forta të Lazios dhe përballë Atalantës shënoi një eurogol.
Në Spanjë zbulojnë propozimin e Real Madrid, që do t’i ofrojë bardhekaltërve 90 milion euro për të siguruar shërbimet e lojtarit serb. Lazio kërkon minimalisht 100 milion euro, por diferenca është e vogël dhe oferta iberike është tunduese, duke marrë parasysh edhe krizën që ka ndikuar në uljen e çmimeve të futbollistëve.
Milinkovic-Savic do e mirëpriste kalimin në Madrid, Zidane e vlerëson shumë dhe Reali është gati të hedhë hapin zyrtar për ta blerë përfundimisht. Gjithsesi, negociatat me Lotiton, presidentin e Lazios, nuk do të jenë aspak të lehta, por Perez dëshiron të realizojë me sukses këtë operacion. /abcnews.al