“Çështja Thaçi”, Blakaj: Aktakuza nuk është e konfirmuar, publikimi është bërë me qëllim

schedule19:18 - 24 Qershor, 2020

schedule 19:18 - 24 Qershor, 2020

Prokuroria e Hagës ka ngritur zyrtarisht një sërë akuzash për presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK Kadri Veselin.

Lidhur me këtë zhvillim të fundit, që vjen në një moment “delikat”, ka folur për Abc News, Bekim Blakaj, nga Qendra për të Drejtën Humanitare.

Blakaj u shpreh se në fakt aktakuza nuk është ngritur ende, kjo pasi ajo nuk është konfirmuar nga një gjykatës i procedurës paraprake.

Po ashtu, sipas Blakajt, bërja publike e këtyre aktakuzave në një kohë që në datën 27 qershor bëhet takimi në Shtëpinë e Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi është e qëllimshme.

Blakaj u shpreh: “Është një komunikatë për shtyp e Prokurorisë Speciale, që bën të ditur se para 2 muajsh është prezantuar një aktakuze, ku të akuzuar kryesorë janë Thaçi e Veseli…Në fakt aktakuza ende nuk është ngritur, nuk është e konfirmuar, për këtë arsye mendoj që mund të kete lidhje me samitin e Uashingtonit, ndryshe nuk di ta shpjegoj.”

Lexo edhe: Gjykata e Hagës ngre aktakuza ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit

Sipas Blakajt, në rregullore në fakt është e parashikuar që aktakuza të mbetet konfidenciale derisa të konfirmohet nga një gjykatës.

Blakaj shton më tej: “Aktakuza nuk mund të quhet e tille nëse nuk konfirmohet nga një gjykatës, nuk është e konfirmuar. Kjo është një draft-aktakuzë mund të ketë fakte të mjaftueshme, mund të ketë mungesë faktesh.. Aktakuza quhet e tille kur konfirmohet nga gjykatësi  i procedurës paraprake. Nga momenti i pranimit, ka mundësi ta konfirmojë apo ta ktheje që të plotësohet me prova të tjera. Nuk ka qenë e papritur që të akuzohen. Është e qëllimshme. Thjesht nuk mund ta di është shumë simptomatike momenti i publikimit të një komunikate të tillë, nuk është shumë profesionale, sidomos në pjesën e fundit. Gjuha nuk është aq profesionale…” /abcnews.al/