Vrasja e Kasmit, dosja kalon te Krimet e Rënda

schedule11:47 - 6 Prill, 2018

schedule 11:47 - 6 Prill, 2018

Personat e arrestuar për vrasjen e Devi Kasmit mbrëmjen e 29 Janarit në Tiranë do të hetohen nga Prokuroria për Krimet e Rënda. Prokuroria e Tiranës transferoi dosjen, pasi ngriti dyshime se të arrestuarit kanë vepruar si “grup i strukturuar kriminal”.

Prokuroria e Tiranës e ka përcjellë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dosjen hetimore të vrasjes së Devi Kasmi në 29 Janar 2018 në Tiranë. Pas më shumë se dy muajve hetim, prokurorët e kryeqytetit kanë konstatuar se në veprimet e kryera nga të akuzuarit për ngjarjen, mes të cilëve edhe greku Efthimiou Efthimious, ka elemetë të “grupit të strukturuar kriminal”. Duke mos qënë kompetentë për hetimin ata e kanë dërguar dosjen në duart e kolegëve të tyre tek Krimet e Rënda.

Transferimi i dosjes tek Krimet u bë shkak të premten që Gjykata e Tiranës të mos merrte në shqyrtim një kërkesë të Mario Meshimit për zëvendësim të masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të butë. Meshini këmbëngul në mungesën e provave ndaj tij dhe në faktin se nuk ka asnjë lidhje me krimin. Por hetuesit kanë dyshime se ai ka nxjerrë viktimën në pritë. Gjykata shpalli moskompetencë të shqyrtimit të kërkesës dhe vendosi dërgimin e saj tek Krimet e Rënda.

Në lidhje me vrasjen e Kasmit janë lënë në paraburgim Efthimio Efthimou, Elton Hoxhallari, Elton Halipaj dhe Malin Dinellari, si edhe shpalli në kërkim Aurel Hoxhallarin. Sipas Prokurorisë, katër të arrestuarit kanë konsumuar veprat penale të “vrasje me paramendim”, në bashkëpunim, “armëmbajtje pa leje” dhe “prodhim dhe shitje të lëndeve narkotike”. Ata u arrestuan në 2 Shkurt nga operacioni policor të koduar “Enigma”, gjatë të cilit u sekuestrua edhe një arsenal armatimi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!