Për herë të parë në më shumë se tre muaj, njerëzit në New York mund të shkojnë në dyqane, të darkojnë jashtë, pasi zyrtarët e qytetit hoqën disa nga kufizimet e vendosura për shkak të koronavirusit.
Parqet me lojëra për fëmijë gjithashtu u rihapën, dhe një pjesë e punonjësve u lejuan të kthehen në punë, megjithëse shumë punonjës ende nuk do të mund të kthehen në zyrat e tyre.
Qyteti i New York dikur ishte epiqendra e shpërthimit të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, por rastet e infektimeve me Covid-19 tani janë në rënie. Koronavirusi ka vrarë mbi 22,000 banorë të qytetit.
Kryebashkiaku i qytetit, Bill de Blasio tha se do të darkonte të hënën dhe ka theksuar se rihapja e fundit është veçanërisht e rëndësishme për industrinë e restoranteve, të cilën ai e quajti “një pjesë të madhe të identitetit të qytetit të New York.
Ndërsa rastet e infektimeve me koronavirus janë në rënie, rastet në dhjetëra shtete të tjera amerikane janë rritur.
Shpërthimet e rasteve me Covid-19 kanë bërë që Guvernatori i New York, Andrew Cuomo të shqyrtojë mundësinë e një urdhri për karantinë dy javore të banorëve nga shtetet me numër të lartë të infektimesh, që udhëtojnë në New York.
Pandemia e koronavirusit ka shkaktuar më shumë se 2.3 milionë raste të konfirmuara në Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se 120,000 viktima./abcnews.al