Të mirin e duan që të gjithë. Milot Rashica vërtet mund të jetë në një moment të vështirë me Verderin, pasi është në prag të rënies nga kategoria, por e ardhmja e tij duket e sigurt dhe e shkëlqyer. Të paktën tre klube, në tri liga të mëdha, duan shërbimet e shqiptarit të Kosovës. Bëhet fjalë për emra si Milan, RB Leipzig dhe Liverpool.
Mediat gjermane shkruajnë se skuadra e Bundesliga dëshiron që të ketë Rashicën si zgjedhjen e sulmit, pas largimit të Timo Werner te Chelsea. Trajneri Julian Nagelsman e ka ndjekur 23-vjeçarin këtë sezon dhe i vlerëson aftësitë e tij, ndërsa alternativa të tjera janë koreanojugori He-Çan Huan i RB Salzburg dhe Adam Hlozek i Spartës së Pragës.
Një tjetër trajner gjerman e do Milotin, veçse në Serinë A. Ralf Rangnick, i cili mund të ulet në stolin e Milanit sezonin e ardhshëm, e ka piketuar Rashicën si një nga zgjedhjet e tij. Ai synon 3 lojtarë nga Bundesliga, që janë pikërisht Rashica, Patrik Shick dhe Dayot Upamecano, e që të tre bashkë mund të kushtojnë 108 milionë euro.
Kartoni i Rashicës vlerësohet në 30 milionë euro, por nëse Verder Bremen bie nga kategoria, nuk do të duhen më shumë se 15 milionë. Skuadra nga Bremeni është pranë rënies dhe do të duhet një mrekulli për ta shpëtuar.
Sidoqoftë, nuk duhet harruar se për shqiptarin e Kosovës ka shprehur interesim, sipas mediave, edhe një klub më i madh për momentin. Ky është Liverpool i trajnerit Jurgen Klopp, i cili dëshiron të forcohet edhe më shumë edicionin e ardhshëm. /abcnews.al