Prej kohësh tashmë ekspertët kanë treguar sesi koronavirusi mund të vrasë më shumë burrat sesa gratë. Kjo, sipas të dhënave dhe studimeve të shumta të kryera, për një sërë faktorësh gjenetikë dhe jo vetëm.
Në Itali, Kinë dhe SHBA për shembull, burrat janë infektuar më shumë se gratë dhe po ashtu, numri i burrave që kanë humbur jetën si pasojë e sëmundjes është më i madh krahasuar me gratë, shkruan abcnews.al
Sabra Klein, një shkencëtar që studion ndryshimet seksuale në infeksionet virale në Universitetin Johns Hopkins thotë se “të qenurit mashkull është po aq faktor rreziku për koronavirusin sa të jesh i moshuar”.
Megjithatë, diçka krejt e ndryshme po ndodh në Indi.
Një studim i ri i kryer nga një grup shkencëtarësh në Indi dhe SHBA tregon se edhe pse burrat përbëjnë shumicën e të infektuarve, gratë kanë më shumë shanse që të vdesin si pasojë e Covid-19.
Studimi, që ka marrë në analizim vdekjet Covid-19 në Indi deri më 20 maj, tregon se 3.3 për qind e të gjitha grave që e morën virusin në Indi kanë vdekur, në krahasim me 2.9 për qind të burrave.
Në grupmoshën 40-49 vjeç, 3.2 për qind e grave të infektuara kanë ndërruar jetë, krahasuar me 2.1 për qind të burrave. Ndërsa, në grupmoshën 5-19 vjeç kanë humbur jetën vetëm gratë dhe vajzat.
Lidhur me këto të dhëna, profesori Subramanian nga Universiteti i Harvard-it thotë:
“Përfundimi kryesor është që kur infektohen, gratë nuk duket që të kenë ndonjë avantazh specifik mbijetese në Indi. Sesa kjo mund t’i atribuohet faktorëve biologjikë dhe se sa është e lidhur me faktorët social, nuk e dimë. Gjinia mund të jetë një faktor kritik në Indi.” /abcnews.al/

