Një skandal financiar me tenderat publikë përgjatë pandemisë së koronavirusit ka shpërthyer në Zimbabve, duke u shtrirë deri në Tiranë.
Ministri i Shëndetësisë së Zimbabve Obadiah Moyo është arrestuar dy ditë më parë për aferën prej 60 milionë dollarësh, ndërsa PD deklaron se është shpallur në kërkim biznesmeni shqiptar Klodian Mërtiri i cili ishte prezantuar si Ilir Dedja.
Moyo është liruar sot pasi ka dhënë një garanci pasurore prej 50 mijë dollarësh. Një ditë më parë është arrestuar edhe Dalish Nguvaja mik i djalit të presidentit të vendit, i dënuar më parë për pastrim para që thuhet se është edhe partneri i biznesmenit shqiptar Ilir Dedja (Klodian Mërtiri).
Biznesmeni shqiptar i prezantuar në Zimbabve si Ilir Dedja sipas PD, ka deklaruar se kishte kombësi shqiptare dhe kishte pashaportizimin në Itali dhe si aksioner i kompanisë DRAX SAGL.
Në artikull thuhet se Ilir Dedja, përmes dy kompanive të regjistruara në Zvicër dhe Dubai, Drax Consult SAGL dhe 3-DD Swiss Trading, ka lidhur dy marrëveshje me qeverinë e Zimbabves për blerjen e materialeve mjekësore gjatë pandemisë, me vlerë 20 milionë USD dhe 40 milionë USD, vlerë kjo 10 herë më e lartë se ajo e tregut.
Në datë 5 Mars kompania e Ilir Dedjas mori një pagesë prej 2 milionë dollarësh nga qeveria e Zimbabves, gjë që ngriti hetimet e autoriteteve hungareve të cilat kërkuan të dhëna mbi transaksionin e kryer. Kur pagesa iu referua Interpolit, kompania hapi një degë të re në Dubai, nga ku i dërgoi Zimbabve një faturë të re me gati 1 milion dollarë amerikanë.
Media afrikane ZimLive shkruan se ndaj biznesmenit shqiptar rëndon akuza për mashtrim në shifrat që i ka paraqitur qeverisë së Zimbabves në raport me vlerën reale të saj, ndërkohë që dy kompanitë e tij nuk figurojnë të regjistruara në këtë shtet.
Vetë Mërtiri ka mohuar të jetë ai i raportuar në median afrikane si Ilir Dedja duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me kontratën dhe se po përdoret qëllimisht për të krijuar skandal.
“Fotografitë e mia të publikuara gjerësisht në media, nuk kanë asnjë lidhje me kontratën në fjalë, por është përdorur qëllimisht për të krijuar skandal dhe dëmtuar reputacionin tim. Unë nuk jam Ilir Dedja”, thotë ai./abcnews.al