Policia e Shtetit është e pakënaqur nga vlera e gjobave që ka arkëtuar gjatë periudhës së pandemisë, vetëm 140 mijë lekë.
Në një shkresë zyrtare që mban firmën e numrit dy të këtij institucioni Aida Hajnaj u tërhiqet vëmendja 12 drejtorive të policisë vendore se kanë ulur kontrollet dhe kanë pakësuar gjobat ndaj qytetarëve e bizneseve që kanë thyer rregullat e pandemisë.
Dokumenti mban datën 17 qershor dhe i referohet periudhës nga 18 prilli deri më 9 qershor.
Nga Departamenti për Sigurinë Publike në policinë e shtetit është konstatuar se në një periudhë kohore gati dy mujore të pandemisë janë vendosur 6133 gjoba dhe për vetëm 14 prej tyre është arkëtuar vlera e masës administrative, pasi pjesa tjetër ka marrë formë të prerë.
Për këtë situatë u është tërhequr vëmendja dhe kërkohet të fillojë ecuria disiplinore për të gjithë kupolën e drejtuesve të policive vendore dhe personave përgjegjës.
Policia e Shtetit shkon më tej duke kërkuar edhe masa ndëshkimore për të gjithë uniformat blu që shkelin ligjin nëse nuk veprojnë për zbatimin e masave anti-COVID.
Brenda datës 30 qershor Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së shtetit kërkon që të vihen në dijeni për praktikat e ecurisë disiplinore./abcnews.al