Leroy Sane është objektivi i madh i Bayern Munchen dhe rikthimi në Bundesligë është çështje kohe. Kampionët e Gjermanisë e kërkojnë prej kohësh sulmuesin e majtë dhe tani pritet të arrihet akordi me Manchester City.
Trajneri i skuadrës angleze është dorëzuar në lidhje me 24-vjeçarin e kombëtares gjermane. Pep Guardiola e vlerëson shumë lojtarin, ka tentuar disa herë të rinovojë me të, por Sane dëshiron vetëm Bayern Munchen.
“Të gjithë e dinë që Sane ka refuzuar 2-3 herë rinovimin me ne. Nëse arrijmë akord financiar me ndonjë skuadër në fund të sezonit, Leroy mund të largohet, përndryshe do të largohet kur t’i përfundojë kontrata.
Kur i bëjnë një ofertë rinovimi një lojtari, do të thotë që duam ta kemi sërish mes nesh. Sane ka cilësi të veçanta dhe është një djalë i mirë. Nuk kam asgjë kundër tij, ai dëshiron të provojë një sfidë të re“, deklaron Guardiola në konferencë për shtyp. /abcnews.al