Kukësi ka një përballje të vështirë me Laçin nesër, ndërkohë që trajneri Orges Shehi ka folur për faqen e klubit. Fillimisht flet për moralin në skuadër pas katër fitoreve radhazi. “Jemi në një situatë të mirë dhe jemi koshient që të vazhdojmë në këtë rrugë, pasi është e vetmja mundësi që na jepet për të qenë pranë objektivave”.
Kapiteni Musolli rikthehet nga pezullimi, por ka një mungesë në mbrojtje. “Që në fillim e dinim se ishte një situatë e vështirë dhe do të kishim ngjeshje të ndeshjeve, por jemi të kënaqur me gjendjen që ka skuadra. Përjashtim bën dëmtimi i Obanor, që erdhi në ndeshjen me Apoloninë”.
Një problem tjetër janë temperaturat e larta: “Sigurisht, nuk është njësoj si të luash në vapë dhe si të luash në kohë më të freskët. Shpresoj që ndeshjet që kemi në shtëpi t’i zhvillojmë natën. Megjithatë, kjo mbetet për t’u diskutuar”.
Sot Tirana rivale përballet me Vllazninë dhe normalisht te Kukësi një hap fals të bardhebluve do e mirëprisnin. “Jam i mendimit që çdo skuadër ka objektivat e veta. Ne kemi objektivat tona dhe duhet të fitojmë ndeshjet tona. Kishim 10 finale, tani kanë mbetur shtatë. Kështu jemi të fokusuar vetëm te finalet tona”, mbyll Shehi. /abcnews.al