Naser Haruni është një emër i njohur në komunitetin shqiptar të Maqedonisë së Veriut, por edhe më i famshëm është bërë pas veprimit të fundit . Ish-kampioni i boksit dhe aktualisht trajner i këtij sporti, ka kryer një gjest shumë të bukur. Ai ka gjetur një çantë me rreth 800 euro brenda dhe disa dokumente personale.
Haruni, i cili njihet edhe si ish-luftëtar i UÇK-së, ka nxituar të gjejë pronarin e çantës së humbur dhe i ka dorëzuar paratë e dokumentet. Shqiptari nga Çairi i Shkupit, i ka mallëngjyer të gjithë me veprimin e tij fisnik.
Pronari i çantës ishte edhe ai ish-sportist. Quhet Gjokica Stojanovski dhe ka luajtur si portier me skuadrën e Vardarit në hendboll. Haruni ka treguar gjithçka në një postim në rrjetet sociale, duke bërë një rrëfim emocionues.
“Isha në Ramstor dhe sa dola në parking, mu para makinës time, gjeta një çantë. Nga kurioziteti e hapa dhe pashë se në çantë kishte portofol me dokumentacion: letërnjoftim, patentë shoferi, kartelë të bankës dhe një zarf. Në zarf kishte 675 euro dhe 9000 dinarë. Sipas letërnjoftimit e pashë që adresa ishte në Kisella Voda, rruga ‘Vera Jocic’.
U nisa menjëherë ta gjej pronarin e çantës. Kur mbërrina në adresën e duhur, ai nuk ishte në shtëpi. Bisedova me fqinjët që e njihnin, ata e thirrën pronarin në telefon dhe erdhi për 10 minuta. E pyeta nëse kishte humbur diçka. ‘Po, po, një çantë‘, më tha. Nuk dinte çfarë të thoshte nga gëzimi, iu mbushën sytë me lot.
Quhej Gjokica, djalë i ri, familjar, ishte me fëmijë të vegjël në karrocë. Më tha: ‘Nuk po mund të besoj që edhe në shtëpi ma ke sjellë çantën e humbur‘. Me pyeti se nga je dhe si quhesha. I thashë se quhem Naser dhe jam nga Çairi.
Vetëm përsëriste nga gëzimi: ‘O zot, o Zot‘. I nxori 100 euro dhe tha: “I ke bakshish prej meje‘. I thashë se nuk është nevoja, por ai m’u lut shumë herë: ‘Të lutem, të lutem, merri për një drekë me familjen tuaj‘.
Desha te them se njerëzit duhen të ndahen në të mirë dhe të këqij, kurse me Gjokicen do të takohemi prapë të pimë ndonjë kafe, sepse edhe ai kishte qenë sportist hendbolli“, përfundon Naser Haruni. /abcnews.al