Në një kohë kur tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë janë më të larta se kurrë, në mediat amerikane ka qarkulluar lajmi se muajin e kaluar, presidenti Trump ftoi Putin në Shtëpinë e Bardhë. Por këtë të hënë ministri i Jashtëm rus akuzoi Perëndimin se po bën lojë fëmijësh.
Presidenti Donald Trump, gjatë një bisede telefonike me homologun Vladimir Putin e ka ftuar atë në Uashington, duke i propozuar një samit amerikano-rus në Shtëpinë e Bardhë. Lajmin e bëjnë të ditur mediat amerikane dhe është konfirmuar edhe nga një nga zëdhënësit e kreut të Kremlinit, Jurij Ushakov, për agjencinë “Interfax”.
Nga ana tjetër, burime pranë administratës amerikane nuk e përgënjeshtrojnë lajmin, por nënvizojnë se ende nuk është përgatitur diçka serioze. Mediat saktësojnë se ftesa e Trump për Putin është bërë gjatë bisedës telefonike mes tyre 20 Marsin e kaluar. Por vlefshmëria e saj mund të vihet në dyshim, pas dëbimit të 60 diplomatëve rusë nga Shtetet e Bashkuara me urdhër të presidentit Trump, që u solidarizua me Britaninë për helmimin e spiunit rus Sergei Skripal në Angli.
Dhe duket se tensionet mes palëve janë larg së qenit të ulura. Të hënën, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, akuzoi Mbretërinë e Bashkuar dhe aleatët e saj perëndimorë se po luajnë “lojëra fëmijësh”. Në një prononcim për BBC, ku mohoi sërish përgjegjësinë e Moskës në helmimin e ish-agjentit, Lavrov akuzoi vendet në fjalë se po veprojnë në shkelje të të gjitha rregullave dhe se kanë ndërmarrë një fushatë gënjeshtrash e dezinformimi.
“Në kohën e Luftës së Ftohtë kishte rregulla dhe veprohej sipas tyre. Sot, partnerët perëndimorë, me në krye Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara kanë tejkaluar çdo sjellje të pranueshme”, tha Lavrov.
Shefi i diplomacisë ruse nënvizoi se Kremlini nuk dëshiron të luajë lojëra fëmijësh, por partnerët perëndimorë po bëjnë, sipas tij, pikërisht këtë gjë.
“Dhe kur ishim të vegjël kishim një shprehje, ai që e fillon lojën, ai duhet ta mbyllë”, shtoi Lavrov./abcnews.al