Gjykata e Lartë në Beograd ka vendosur caktimin e masës së paraburgimit dhe shpalljen në kërkim të ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiç. Vendimi është marrë pasi ai nuk u paraqit në stacionin policor të Savski Venacit më 15 nëntor, siç e kishte detyrim sipas masës së mëparshme të sigurisë.
Sipas njoftimit të gjykatës, ndaj Radojiçiç është caktuar paraburgim deri në 30 ditë, i cili do të llogaritet nga momenti i arrestimit. Fletëarresti është lëshuar nga Drejtoria e Policisë së Beogradit.
Gjykata bëri të ditur se më 17 nëntor gjyqtari i procedurës paraprake vendosi të shfuqizojë masën e mëparshme që e detyronte Radojiçiçin të mos largohej nga vendbanimi pa miratimin e gjykatës dhe të mos udhëtonte drejt Kosovës.
Kjo masë, e vendosur më 3 tetor 2023, parashikonte gjithashtu që ai të paraqitej në komisariatin e Savski Venacit çdo datë 1 dhe 15 të muajit, si dhe t’i mbahej përkohësisht pasaporta.
Radojiçiç është nën hetim për përfshirjen e dyshuar në sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës, në shtator të vitit 2023.
Gjatë përplasjes së armatosur me grupin guerril serb që Radojiçiç drejtonte, mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe tre pjesëtarë të grupit, Stefan Nedeljkoviç, Bojan Mijailoviç dhe Igor Milenkoviç.
Ngjarja në Banjskë përbën një nga episodet më të rënda të sigurisë në veri të Kosovës, ndërsa Radojiçiç ka marrë përsipër përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur./abcnews.al



