Kukësi është rikthyer të fitojë. Pasi mori pikët e plota me Luftëtarin dhe Partizanin në kampionat, ekipi i drejtuar nga Orges Shehi triumfoi edhe në Kupë me Apoloninë dhe është një hap larg gjysmëfinales.
Trajneri durrsak, në fakt e ka pritur këtë ecuri: “Tri fitoret e arritura na rrisin më shumë optimizmin dhe na afrojnë me objektivat që kemi. Natyrisht që i prisja sepse unë e di forcën e skuadrës sime”. Më tej ai flet edhe për ndeshjen e radhës, me Flamurtarin.
“Është një ndeshje që do vlerësim, sepse skuadrat “e vogla” në letër janë ato që të bëjnë gjëmën”, shton Shehi, i cili në fund për faqen e klubit thekson se besojnë ende te titulli kampion, edhe pse janë 9 pikë pas Tiranës. Shpresat janë të mëdha që bardheblutë të ndalen nesër dhe një fitore në Vlorë do e ngushtojë diferencën me kryeqytetasit. /abcnews.al