Basha paralajmëron Ramën nga Shkodra: Ajo që nisi në Kukës s’do të ndalet

schedule12:22 - 2 Prill, 2018

schedule 12:22 - 2 Prill, 2018

Kreu i partisë demokratike Lulzim Basha pas nderimeve në përkujtimoren 2 Prilli në sheshin “Demorkacia” në Shkodër shfrytëzoi ditën dhe simbolikën e saj për t’i dhënë një mesazh qytetarëve por edhe kundërshtarit politik.

Më 2 Prill, kreu i opozitës, Lulzim Basha, mbështetjen kuksianëve dhe mesazhin kundërshtarit politik ia dha nga sheshi “Demokracia”.

Lulzim Basha: “Ajo që nisi në Kukës nuk do të ndalet dhe nuk ka për të ndalur, derisa tirania e krimit të rrëzohet! Ky është muaji, ku maska e Edi Ramës ka rënë para çdo shqiptari. Taksa e “Rrugës së Kombit”, TVSH-ja për bizneset e vogla, taksa e rritur e banesave dhe pronave, faturat e rritura të ujit dhe të dritave, përjashtimi i mijëra familjarëve nga ndihma ekonomike, janë aktet e fundit të një grabitqari dhe mashtruesi, që pasi vjedh, përbuz dhe tallet me popullin e tij. Populli i Kukësit i dha përgjigjen e merituar. Ai ishte reagimi i njerëzve që nuk munden më”.

Me përkujtimoren që i mori emrin 2 Prillit 1991 pas krahëve, Lulzim Basha nderoi Arben Brocin, Bujar Bishanakun, Besnik Cekan dhe Nazmi Kryeziun dhe i kujtoi shqiptarëve ç’kanë dhënë për demokracinë.

Lulzim Basha: “2 prilli i vitit 1991 i mori Shkodrës dhe demokracisë 4 jetë të pakthyeshme, por na dha një dëshmi sa të pashlyeshme, historike po aq edhe aktuale: Për pushtetin dhe pasurinë e tyre, trashëgimtarët politikë të diktaturës nga Edi Rama, tek Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafa, kthehen në gen, kthehen në identitet, kthehen tek diskriminimi politik dhe ekonomik. Kjo dëshmi është sot më akute se kurrë”. 

Kreu i opozitës, Lulzim Basha dhe kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, zhvilluan një vizitë në ambientet e bashkisë me familjarët e viktimave të 2 Prillit 1991./abcnews.al