Klosi paralajmëron subjektet nga Vlora për ndotjen akustike

schedule12:42 - 2 Prill, 2018

schedule 12:42 - 2 Prill, 2018

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi paralajmëroi ashpërsimin e masave ndëshkimore për ndotjen akustike në plazhe në sezonin e ri turistik. Këto deklarata Klosi i bëri gjatë një takimi me drejtuesit e bashkive në qarkun e Vlorës.

Sezoni veror nuk është larg e bashkë me të edhe muzika e lartë në lokalet e qyteteve bregdetare. Por këtë vit do të ketë masa më të ashpra ndaj atyre që shkaktojnë ndotje akustike paralajmëroi ministri i Turizmit dhe mjedisit Blendi Klosi.

“Ne presim të kemi një turizëm cilësor, por turizmi cilësor nuk mund të jetë turizmi me zhurmë”.

Për të pasur një transparencë dhe zbatim sa më të mirë të ligjit, ministri Klosi tha se të gjitha bashkitë duhet të përgatisin hartën e caktuar se ku duhet lejuar ose jo muzika.

 “Në bazë të planeve që do të përcaktojnë vetë bashkitë Ministria e Mjedisit do të revokojë lejet mjedisore për zhvillimin e aktivitetit në rast se zhurmat janë jashtë parametrave të lejuar”.

Detyrimi ligjor u sillet në vëmendje kryebashkiakëve edhe përmes një urdhëri që ministri Klosi ka nxjerrë gjatë muajit shkurt të këtij viti.

“Pra kjo është një gjë që duhet ta bëjnë këshillat bashkiakë, duhet ta bëjnë kryetarët e bashkive dhe pastaj ligjzbatuesit që nga Ministria e Mjedisit e cila ka një gjë në dorë që të heqë lejet mjedisore për hotelet ku nuk ka plan të përcaktuar nga bashkitë”.

Një hartë e zonave ku mund të ushtrohen sportet e ujit me qëllim shmangien e aksidenteve në ujë është një tjetër detyrë e pushtetit vendor. Duke qëndruar në sigurinë e plazheve kreu i Turizmit theksoi se bashkitë duhet t’u kërkojnë bizneseve që të kenë të paktën një person për të dhënë ndihmën e parë.

Kreu i Turizmit dhe Mjedisit kërkoi gjithashtu angazhimin e pushtetit vendor, komunitetit dhe biznesit të zonës në aksionin “Pastrojmë Tokën që duam” që do të zhvillohet nga data 16 deri më 22 prill, të shpallur ndërkombëtarisht  Dita e Tokës./abcnews.al