I vendosur t’i ndajë me thikë në dy grupime protestuesit e një dite më parë në Rrugën e Kombit, kryeministri Edi Rama njërit i mpreh shpatën, tjetrit i bën autokritikë.
Edi Rama: “Njerëz që kanë shkuar me benzinë me vete. Ka pasur edhe njerëz që kanë shkuar se kanë pasur kundërshtitë e tyre. Këta të dytët janë qytetarë dhe u detyrohemi këtyre shpjegim. Të parët janë vandalë. Ata do flasin përpara prokurorëve dhe gjykatës”.
Pranon se ditët e konsultimit që i presin tashmë qytetarët e zonës për t’u informuar mbi tarifën, shifra e së cilës nuk është e hapur për diskutim, duhet të kishte ndodhur më parë.
Edi Rama: “S’kemi bërë gjënë e duhur. Mund të kishim bërë gjënë e duhur ndoshta. Jo se ne e lamë hajde ta fillojmë njëherë, por duhen 6 muaj për identifikimin e përdoruesve të shpeshtë”.
Sistemi i aboneve do të parashikojë lehtësira për përdoruesit më të shpeshtë, të cilëve do t’u duhej të paguanin të plotë përgjatë periudhës së nevojshme për identifikim.
Edi Rama: “Ne do të fillojmë ndërtimin e pikës. Në momentin që pika do të jetë gati edhe sistemi në fjalë për banorët të jetë i qartë”.
Tarifa e vendosur 5 euro nga ekspertët e huaj, nuk llogarit fare xhepin e qytetarit të cilit i shërben, thekson kryeministri, por në rast se xhepi i parë nuk mbush dot minimumin vjetor të xhepit koncesionar.
Edi Rama: “Në këtë kontratë ka edhe trafick risk, nëse nuk realizohet është buxheti i shtetit që paguan. Tarifa është rezultat i studimit të fluksit, s’ka lidhje me ekonominë e zonës”.
Dëmet e shkaktuara gjatë protestës do paguhen nga buxheti i shtetit, theksoi Kryeministri, i cili protestuesit e naftës dhe shkopinjve të një dite më parë dhe atyre të 7 viteve më parë, nuk i gjen asnjë pikë të përbashkët.
Të parët:
Edi Rama: “Vandalë”.
Të dytët:
Edi Rama: “Atë ditë nuk kanë ushtruar dhunë dhe janësulmuar. Që turmat reagojnë, kur sulmohen nga policia kjo ndodh”.
Prej përfundimit të protestës organi më i lartë i akuzës, ai ekzekutiv dhe ligjzbatues, reaguan ashpër ndaj protestuesve, të cilët shkaktuan dëme materiale./abcnews.al