Në 24 orët e fundit, në vendin tonë u konfirmuan edhe 44 raste të reja me koronavirus. Ky është edhe numri më i lartë i të infektuarve që regjistrohen brenda një dite në Shqipëri që nga fillimi i pandemisë.
Duke marrë shkak nga rritja e rasteve pas heqjes së karantinës, kryeministri Rama ka bërë një dalje të radhës në Facebook për të komunikuar me qytetarët.
Duke përmendur rritjen e numrit të infektuarve, Rama ngriti pyetjen “nëse do të bëhemi njerëz” apo të rikthehet karantina?
Kreu i qeverisë u shpreh se trendi në rritje jo vetëm që mund të na sjellë dëme të rënda, por edhe mund të na detyrojë që të kthehemi mbrapsht deri në gjetjen e një vaksine.
Lexo edhe: 44 raste të reja me koronavirus, ku janë të infektuarit gjatë 24 orëve të fundit
Po ashtu, Rama theksoi se “armiku i padukshëm nuk ka ikur dhe nuk duhet ta rëndojmë akoma më tej situatën.”
Rama u shpreh: “Shumë shkurt. Numrat e të infektuarve, e shihni, po rriten, dhe po ashtu po rriten shtrimet në spital. Çka është më shqetësuese është se trendi në rritje jo vetëm mund të na sjellë dëme të rënda në jetë njerëzish, por larg qoftë do të na detyrojë të kthehemi mbarpsht tek i vetmi ilaç i sigurt deri në daljen e vaksinës. Karantina. Tani si do ia bëjmë, do bëhemi njerëz dhe të respektojmë ato rregulla të thjeshta, apo do e bëjmë si lopa që i bie me shkelma kovës së qumështit pasi e mbush? Jam shumë i shqetësuar dhe dua të dini se nuk ka ndërmend të bëj sehir. Armiku i padukshëm nuk ka ikur. Nuk duhet ta bëjmë me të keq gjënë e duhur në këtë situatë, nuk dua të ndëshkojmë bizneset nëse nuk marrin masat për sigurinë e shëndetit të njerëzve. Ekonomia bie dhe ekonomia ri-ngrihet prapë ndërsa të vdekurit nuk ngrihen. Rreziku real i rënies pre i armikut të padukshëm është prezent. Solidariteti i pashoq na nxori faqebardhë dhe nuk dua ta përmend fjalën karantinë, nëse nuk ndryshojmë sjellje dhe vazhdojnë të rriten numrat e infektimit atëherë me keqardhje po ju them që nuk kemi çfarë të bëjmë por duhet të rikthehemi nga e para. Ti thërrasim mendjes të bëjmë gjënë e duhur, e kemi vetë në dorë.”
/abcnews.al/