Vaksina për luftimin e Covid-19 mund të jetë gati në fund të këtij viti. Kështu ka deklaruar mjeku Anthony Fauci, eksperti kryesor i SHBA-ve për sëmundjet infektive. Megjithatë ai shtoi se nuk është ende e qartë se sa mund të zgjasë imuniteti i ofruar nga vaksina.
“Ne mund të kemi një vaksinë deri në fund të këtij viti kalendarik ose në muajt e parë të 2021. Pra, kjo është gjëja që më bën të sigurt se procesi është me të vërtetë në rrugën e duhur,” tha Fauci.
“Gjërat po shkojnë qartë në drejtimin e duhur,” shtoi ai në një intervistë optimiste me Good Morning America të Mërkurën.
Fauci, i cili është drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, tha se ai parashikon që do të ketë më shumë se një vaksinë për Covid-19, por nuk është e qartë se sa kohë do të jetë efektive për ose nëse do të duhet të merret çdo vit si vaksinat e zakonshme të gripit.
Anthony Fauci: “Do t’i marrim gjërat me radhë. Gjëja e parë që duhet të bëjmë është që të vendosim nëse është e sigurt dhe nëse ofron mbrojtje. Sa mund të zgjasë kjo mbrojtje…do na duhet që të vëzhgojmë, kjo është arsyeja se pse pas gjetjes së vaksinës nuk mund të shpallësh fundin e lojës.” /abcnews.al/