Mjekët kanë përshëndetur si “të jashtëzakonshme ” rezultatet e një studimi ndërkombëtar që tregon se një injeksion i ri kundër kancerit mund të eliminojë plotësisht tumoret tek disa pacientë.
Trajtimi, i quajtur amivan-tamab në formë vaksine, u testua tek pacientë me kancer të kokës dhe qafës, sëmundja e të cilëve ishte përhapur ose ishte rikthyer pas trajtimeve të mëparshme me kimioterapi dhe imunoterapi. Në studim morën pjesë 102 pacientë nga 11 vende të botës.
Rezultatet treguan se tumoret u zvogëluan ose u zhdukën plotësisht tek 43 pacientë. Në 15 raste, mjekët konstatuan se tumoret ishin eliminuar tërësisht. Sipas studiuesve, efektet pozitive u vunë re brenda pak javësh nga nisja e trajtimit. Amivantamab vepron në tre drejtime njëkohësisht: bllokon mekanizmat që ndihmojnë rritjen e tumorit, pengon qelizat kancerogjene të shmangin trajtimin dhe stimulon sistemin imunitar të sulmojë kancerin.
Një tjetër avantazh i trajtimit është se ai administrohet përmes një injeksioni nën lëkurë dhe jo me serum intravenoz, duke e bërë më të lehtë dhe më të shpejtë për pacientët. Shumica e efekteve anësore ishin të lehta ose mesatare.
Rezultatet e studimit do të prezantohen në konferencën vjetore të Shoqatës Amerikane të Onkologjisë Klinike në Çikago, një nga ngjarjet më të rëndësishme në botë për kërkimin mbi kancerin. Ekspertët vlerësojnë se ky trajtim mund të ofrojë një mundësi të re për mijëra pacientë çdo vit, veçanërisht për ata që kanë pak alternativa terapeutike në dispozicion./abcnews.al


