Të paktën 15 manifestues palestinezë janë vrarë të premten në përleshjet e dhunshme me ushtrinë izraelite, përgjatë barrierës mbrojtëse mes Gazës dhe shtetit hebre. Lajmin e bën të ditur Ministria e Shëndetësisë e Rripit të Gazës, e cituar nga agjencia palestineze “Maan”, që flet edhe për 1.200 të plagosur.
Manifestimi ishte organizuar nga lëvizja islamike Hamas për të përkujtuar marrjen e tokave të pronarëve arabë nga Izraeli. Ushtria izraelite deklaroi më herët se ishin rreth 17 mijë manifestuesit që hidhnin ndaj trupave të saj bomba molotov dhe gurë, duke i detyruar të përgjigjen me mjete për shpërndarjen e turmës dhe duke qëlluar nxitësit e dhunës. Për shtetin hebre, është lëvizja e Hamasit ajo që vë në rrezik jetët e civilëve duke i përdorur për qëllime terroriste dhe për gjithçka që i leverdis asaj./abcnews.al