Mijëra banorë që jetojnë në disa prej zonave kryesore në veri të vendit ndjehen të izoluar për shkak të mungesës së rrugëve që i lidhin me kryeqytetin. Banorët e Kukësit, Dibrës apo dhe Tropojës shumicën e shërbimeve preferojnë t’i marrin në zonat kufitare, pasi i kanë më pranë.
Tirana duket e largët për banorët e veriut të Shqipërisë. Nuk janë vetëm kilometrat që kanë krijuar distanë por edhe rrugët e amortizuara.
Peshkopi
“Pengesat e zhvillimit të turizmit janë të shumta, por ndër më kryesoret rendisim: infrastruktura rrugore dhe turistike e dobët dhe e largët me qendrat metropolitane”.
Kukës
“Ndër faktorët me ndikim negative më të ndjeshëm është edhe infrastruktura rrugore ende e pazhvilluar në disa zona”.
Tropojë
“Është e nevojshme të përmirësohet infrastruktura rrugore që lidh fshatrat e largët me zonën funksionale të Tropojës. Gjithashtu duhet përmirësuar edhe infrastruktura rrugore në zonat potenciale turistike”.
Në të gjitha strategjitë e hartuara për këto zona të Shqipërisë, kërkesë kryesore mbetet rruga si e vetmja mundësi për të sjellë zhvillim. Banorët e veriut kanë përzgjedhur vendet kufitare më shumë se kryeqytetin.
ABC News ka sjellë disa herë në vëmendje rrugët, ku nuk është bërë asnjë investim apo ato që janë dëmtuar dhe nuk janë riparuar.Të tilla janë rruga Kukës-Shishtavec, e cila po shkon drejt rrënimit të plotë dhe në pamundësi për të qarkulluar. Kjo për shkak të shkarjeve dhe dëmtimit të asfaltit.
Rruga Peshkopi-Kukës e dëmtuar në 3 segmente. Segmenti i parë është në afërsi të përroit të Veleshicës, ku është dëmtuar rreth 100 metra gjatësi pas rrëshqitjes duke pësuar rënie me më shumë se një metër. Një segment tjetër në fshatin Vleshë rreth 10 metra. Dhe një tjetër shembje rreth 50 metra tek gështenjat e Kastriotit.
Në një situatë të rëndë është edhe rruga nacionale nga Peshkopia në drejtim të Tiranës 64 kilometra. Të njëjtën zgjedhje kanë bërë banorët e veriut të Shqipërisë, vendet përtej kufijvë.
Tropojanët udhëtojnë drejt Gjakovës për të bërë tregti e për të marrë shërbime pasi distanca mes tyre është 21 kilometra largësi, ndërsa me Tiranën është minimalisht 122 kilometra.
Kuksianëve, duket sikur u afruan me kryeqytetin pas ndërtimit të Rrugës së Kombit por çmimi i tarifës së rrugës duket se nuk i favorizon krahasuar me Prizrenin apo fshtrat e tjerë që kanë në kufij. Më ekonomike është edhe për dibranët që të udhëtojnë drejt fshatrave të Maqedonisë që i kanë rreth 11 kilometra larg.
Rezultati? Të ardhura që lënë kufijtë e Shqipërisë, por mbi të gjitha mungesë ndërveprimi të shqiptarëve të veriut me pjesën tjetër të vendit.
Të gjitha këto sepse edhe pas 28 vjetësh, kërkesa e vetme që kanë mbetet një dhe vetëm një./abcnews.al