“Drejtësi për Drejtësinë”, kërkesë Avokatit të Popullit: Verifikoni dokumentacionin e anëtarëve të Vettingut

schedule19:49 - 9 Qershor, 2020

schedule 19:49 - 9 Qershor, 2020

Drejtësi për drejtësinë është emri i shoqatës së krijuar nga gjyqtarë dhe prokurore, të cilët janë shkarkuar nga organet e Vettingut. Shumë prej tyre mendojnë se vendimet për largimin e tyre nga sistemi i drejtësisë kanë qenë të padrejta.

Të tjerë shkojnë edhe me tej duke thënë se Reforma në Drejtësi ka dështuar.

Përmes një letre drejtuar Avokatit të Popullit gjyqtare dhe prokurore të kësaj shoqate i kanë kërkuar që të verifikojë  procedurën e përzgjedhjes dhe dokumentacionin, që kanë dorëzuar komisionerët e të dy shkallëve të Vettingut. Shoqata drejtohet nga ish-Prokurori Gentian Trenova.

“Reforma në drejtësi nisi si e dështuar dhe nuk kam besim që do të japë rezultatet që priten. Çdo gjë ka nisur keq dhe nuk shpresoj të përfundojë mirë”, tha Trenova.

Shoqata “Drejtësi për Drejtësinë” ka bërë një verifikim, sipas të cilit një pjesë e anëtarëve të komisioneve të Vetingut  nuk plotësojnë kritere ligjore për tu përzgjedhur.

Disa  nga komisionerët e KPK dhe KPA nuk plotësojnë kriterin kryesor atë të përvojës se punës jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor i së drejtës, nëpunës i shërbimit civil në nivel drejtues ose në një përvojë të njohur në fushën e së drejtës administrative ose sfera të tjera të së drejtës.

Po ashtu sipas shoqatës, disa anëtarë të Vetingut kanë mangësi në dokumentacion.

“Drejtësi për Drejtësine” i mëshon faktit se anëtarët e Kolegjit të Posacëm të Apelimit, Luan Daci dhe Ardian Hajdari, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz dhe Ina Rama gjenden në kushtet e pazgjedhshmërisë.

Ndërsa për dy anëtarët Sokol Çomo dhe Albana Shtylla ata pretendojnë se nuk duhet të ishin përzgjedhur pasi është shkelur kriteri që të mos kenë mbajtur funksione politike dhe të mos kenë qenë ekspertë ose pjesëmarrës kryesor në procesin e hartimit te ligjeve të reformës ë Drejtësi.

Shoqata e prokurorëve dhe gjyqtarëve të shkarkuar nga Vetingu thekson se edhe 4 komisionerë të Komisionit të pavarur të kualifikimi kanë probleme.

Brunilda Bekteshi nuk përmbush asnjë kriter për të qenë komisionere,  Lulëzim Hamitaj, nuk plotëson kriterin e vjetërsisë, Olsi Komici dhe Roland Ilia nuk plotësojnë kriterin e integritetit moral për faktin se kanë qenë nën hetim nga Prokuroria”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!