Reagon Erdogan: Gylenistët do t’i ndjekim kudo

schedule13:28 - 30 Mars, 2018

schedule 13:28 - 30 Mars, 2018

Presidenti Erdogan duke komentuar ekstradimin e 6 shtetasve turq nga Kosova tha se përndjekjet e tilla ndaj mbështetësve të imamit Gylen do të vazhdojnë. Ai tha se ndalimi i tyre dhe riatdhesimi është bërë në bashkëpunim me inteligjencën kosovare.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka reaguar pas ekstradimit nga Kosova të gjashtë shtetasve. Ata u ndaluan të enjten dhe akuzohen nga Ankaraja se janë drejtues të lartë të shoqatës së imamit Fetullah Gylen në Ballkan, i cili akuzohet për terrorizëm nga Erdogan dhe se qëndron prapa grushtit të dështuar të shtetit. Presidenti rispërsëriti zotimin e tij se do të vazhdojë përpjekjet për sjelljen para drejtësisë të atyre që mbështesin dhe janë pjesë e shoqatës së Gylen.

“Së fundmi, Agjencia jonë Kombëtare e Inteligjencës, në bashkëpunim me inteligjencën e Kosovës kapën gjashtë përfaqësues të lartë të FETO-s në Ballkan, i sollën dhe ia dorëzuan organeve policore. Ne kemi thënë se ata do të ikin, kurse ne do t’i ndjekim dhe sjellim këtu me lejen e Zotit kudo që gjenden. Do të kërkojmë llogari”, citohet të ketë thënë presidenti Erdogan.

Tashmë ky i fundit pas përndjekjes së mijëra mësuesve, mjekëve, gazetarëve dhe shumë qytetarëve të profensioneve të ndryshme në Turqi, ka nisur dhe një ofensivë kundër ndjekësve të Gylen jashtë kufinjëve. Deri më tani për akuzën e pjesëmarrjes në shoqata që mbështesin imamin që jeton në ekzil në SHBA, janë shkarkuar nga puna mbi 30 mijë punonjës dhe janë arrestuar mijëra të tjerë. Kjo përndjekje e urdhëruar nga Erdogan, është kritikuar ashpër nga SHBA dhe BE./abcnews.al