Një punonjës i AKU-së në Shkodër dhe një ish-zyrtar i këtij institucioni janë vënë në pranga dje për shpërdorim detyre. Ndalimi i tyre u bë në vijim të operacionit, ku u arrestuan tre persona për prodhim të produkteve ushqimore në kundërshtim me ligjin.
Adnan Gradeci, me detyrë inspektor në AKU-në e Shkodrës dhe Abdyl Bajraktari me detyrë ish-inspektor dyshohet se kanë mbajtur procesverbale të rreme për firmën e Gëzim Balës mbi kushtet e ambientit, ku prodhoheshin produktet ushqimore.
Më herët, policia njoftoi se pas sekuestrimit të një magazine ushqimore në Shkodër u arrestuan tre persona, pronari i firmës, djali i tij dhe një punonjëse e kompanisë si dhe u shpall në kërkim një person tjetër.
Prokuroria e Shkodrës pas përfundimit të hetimit dërgoi në gjykatë tre falsifikatorët e prodhimeve ushqimore, ndërsa për zyrtarët e AKU-së hetimet vazhdojnë./abcnews.al