Kukësi mori pikët maksimale me Partizanin, një detyrim duke parë diferencën me Tiranën dhe objektivin titull. Pas ndeshjes, trajneri Orges Shehi, në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, foli për triumfin, rivalin Tirana dhe tema të tjera.
“Fitore e rëndësishme, ishte një nga pengesat tona më të vështira për objektivat. E interpretuam mirë lojën dhe i vumë gishtin kokës për të konkretizuar rastet, pasi futbolli është vrasës. Jemi fokusuar vetëm tek ndeshjet tona, këtë do të bëjmë edhe në vazhdim.
Goli i pësuar? E pësuam golin ngaqë e quajtëm rezultatin 3-0 të mbyllur. Nuk zbritëm të gjithë, u vendosëm keq, por është pjesë e rezultatit. Nuk duhet të ndodhte, futesh në panik dhe shtohet konsumi, por ndodh.
Goli i anuluar? Më erdhi pak keq nga ekzekutimi. Rroca është efikas nga ai pozicion, më vjen keq, por gjyqtari i ra bilbilit përpara se të niste loja. Në bazë të kundërshtarit bëhen zëvendësimet. Limaj ka ardhur vonë, mendoj se skema 4-3-3 na përshtatet dhe shprehemi më mirë, ky është mendimi im. Duhet t’i fitojmë ndeshjet dhe na duhet të jemi ofensivë, por pa e humbur ekuilibrin“, përfundon trajneri i Kukësit. /abcnews.al