Kukësi shpreson ende te titulli kampion dhe pret një gabim të Tiranës. Bardheblutë janë 9 pikë para, por djemtë e Orges Shehit nuk dorëzohen. Nesër i pret një ndeshje e vështirë kundër Partizanit në “Selman Stermasi”, duel që nis në orën 17:00.
Trajneri i Kukësit ka folur përpara ndeshjes për kanalin zyrtar të klubit verilindor. Rikthimet e Obanor dhe Rrocës e gëzojnë dhe Shehi pret fitoren në duelin ndaj kampionëve në fuqi, të cilët po kalojnë një moment të keq pas humbjes me Skënderbeun.
DUELI – “Është një ndeshje e rëndësishme për objektivat që kemi. Janë kampionët në fuqi, edhe pse kanë rezultate jo të mira. Ata kanë skuadër të mirë, prandaj ka shkallë vështirësie të lartë, por futemi për maksimumin. Jemi të plotë, rikthehen Obanor dhe Rroca, dhe kemi grupin e plotë, përveç Limajt që nuk është në 100%”.
LUFTËTARI – “Fituam në fund, por të mos harrojmë që kemi qenë konstantë duke pasur shumë raste. Kemi punuar për të mbyllur ndeshjen. Rastet që kemi duhen konkretizuar, sepse në futboll po nuk shënove, pëson”.
FAZA PËRGATITORE – “Pas një shkëputje prej 2 muaj e disa ditë, do të jetë e vështirë, por skuadra u shpreh lirshëm dhe nuk kishte dëmtime. Kjo fazë na ka shërbyer për të ardhur në gjendje optimale”.
TITULLI – “Kemi objektiva madhorë dhe rruga e titullit kalon te Partizani. Do të fokusohemi shumë te ndeshja e radhës për të arritur objektivat që kemi”. /abcnews.al