Lojtarët e Tiranës në radhë, kryejnë testet për COVID-19

schedule11:38 - 6 Qershor, 2020

schedule 11:38 - 6 Qershor, 2020

“KF Tirana ka marrë njoftim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku për efekt të marrjes së masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19, të kryhet testimi për Covid-19 për të gjithë skuadrën që ka marrë pjesë në ndeshjen FK Bylis – KF Tirana”.

Ky ishte njoftimi i Tiranës një ditë më parë, ndërkohë që zbulohej se ditën e sotme futbollistët dhe stafi do të kryenin testet për COVID-19. Ditën e sotme ka ndodhur diçka e tillë dhe vetë lojtarët kanë publikuar foto para se të bënin tamponin.

Një prej tyre është argjentinasi Agustin Torassa, i cili do të mungojë në ndeshjen e radhës me Luftëtarin. Në kampin bardheblu do të presin përgjigjet e testeve dhe shpresohet shumë që të mos ketë të infektuar, pasi kështu do të vihej në rrezik edhe vijimësia e kampionatit.

Te Tirana po kryejnë testet për shkak se te Bylisi doli pozitiv me COVID-19 Eridon Qardaku. Frika se mos ndonjë prej lojtarëve bardheblu është prekur ekziston tek autoritetet, që kanë vendosur t’u bëjnë shtupën të gjithë personave që ishin në takimin e luajtur në Ballsh të mërkurën. /abcnews.al