Frikë nga Rusia, Polonia blen sistemin mbrojtës “Patriot”

schedule20:43 - 28 Mars, 2018

schedule 20:43 - 28 Mars, 2018

Polonia ka firmosur këtë të mërkurë marrëveshjen më të madhe të armatimeve që pas Luftës së Ftohtë, për t’i bërë ballë pranisë ruse në kufi. Vendi anëtar i BE-së do të pajiset me një sistem raketor mbrojtës me vlerë 4 miliardë dollarë.

Qeveria në Poloni ka nënshkruar këtë të mërkurë një kontratë historike për blerjen nga Shtetet e Bashkuara të një sistemi raketor mbrojtës me vlerë 4.7 miliardë dollarë. Marrëveshja, më e madhja e nënshkruar ndonjëherë nga Polonia, parashikon pajisjen me një sistem të tipit “Patriot” për t’i bërë ballë Rusisë në kufirin që ndan dy vendet.

“Ky është një moment i jashtëzakonshëm, një moment historik që shënon hyrjen e Polonisë në botën e re të teknologjisë së armatimeve moderne për qëllime mbrojtëse”, ka deklaruar Presidenti Andrzej Duda gjatë ceremonisë së posaçme.

Polonia, vend anëtar i NATO-s, ka përshpejtuar përpjekjet për të zëvendësuar armatimet e vjetra ushtarake, pas aneksimit që Rusia i bëri aneksimit të gadishullit të Krimesë në vitin 2014. Dy të tretat e armatimeve të Polonisë daton që nga epoka e Luftës së Ftohtë, kur vendi ishte ende nën ndikimin sovietik.

Marrëveshja vjen pak ditë nga dëbimi i mbi 100 diplomatëve rusë nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe vende të tjera europiane, përfshirë Poloninë, si përgjigje ndaj helmimit të ish-spiunit rus në Angli, Sergei Skripal. Më herët gjatë muajit, Presidenti rus, Vladimir Putin, prezantoi një armë të re bërthamore, e cila sipas tij mund të godasë në çdo pikë të botës dhe t’i shpëtojë mburojës amerikane anti-raketë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!