Mirel Josa, pas një eksperience me Prishtinën në Kosovë, është i lirë dhe në pritje të ofertave. Ftesës së bërë për në emisionin “Pressing” në ABC News ai nuk i ka thënë jo. Temat janë të shumta dhe trajneri i mirënjohur nuk shmanget.
“Parashikoj ulje cilësie. Në disa ndeshje ndoqa, pasi minutës së 80-të kishte rënie të ritmit. Nuk është e thënë të përdoren pesë zëvendësime. Flasim për ndërrime për të marrë ndeshjen. Java e parë kaloi si kaloi. Ishte një javë ku pashë mbrojtje të kujdesshme, sidomos në luftën për topin e parë. Do të them që me rritjen e ngarkesës, pasi do luhet shpesh, do të shohim se si do ta përballojnë lojtarët”.
“Tirana, me stabilitetin e treguar, do pak kujdes të dalë kampion. Këtë e tregoi me Bylisin, që në fillim të lojës. Stabiliteti, tani dhe më parë, do e çojë te titulli shumë shpejt”, u shpreh Josa, i pyetur në lidhje me titullin kampion. “Tirana iu imponua në lojë Bylisit, organizoi lojën, e kontrolloi. Nuk i hiqen meritat. Bylisit nuk iu dobësua skuadra tani. Tirana e meritoi fitoren dhe nuk diskutohet”.
“Kur Tirana barazoi me Skënderbeun, direkt nisën që kjo skuadër ka probleme nga brenda. Nuk e dimë kush i ka djegur Memën e Ahmatajn. Ata lojtarë që bënë që Tirana të fitojë derbin, takimin me Kukësin, janë bërë të ndërgjegjshëm që ata duhet të luajnë. Edhe në stol janë bindur që të përzgjedhurit e Egbo e meritojnë formacionin”. /abcnews.al