“Dora e Zezë”, organizata që organizoi vrasjen e arkidukës Franz Ferdinand

schedule21:12 - 3 Qershor, 2020

schedule 21:12 - 3 Qershor, 2020

Më 28 qershor 1914 arkiduka Franz Ferdinand dhe gruaja e tij, Sofi, po vizitonin Sarajevën. Bosnja ishte në atë kohë pjesa jugore e perandorisë austro-hungareze. Por një organizatë e ashtuquajtur “Dora e Zezë”, kishte rekrutuar dhe trajnuar vrasës për të likujduar arkidukën. Atentatorët ishin pozicionuar përgjatë rrugës.

Arkiduka i shpëtoi përpjekjes së parë të vrasjes nga Nedeljko Cabrinovic, por vrasësi i dytë, Gavrilo Princip, qëlloi dy herë, duke vrarë arkidukën dhe gruan e tij Sophie. Turma u hodh mbi Principin dhe ai u arrestua nga policia.

Para viteve 1990, ekzistonte një vend në Sarajevë i shumë-vizituar. Nuk ishte monument, pllakë apo muze. Ishte një tërësi gjurmësh në trotuarin që shënonte vendin ku po qëndronte Gavrilo Princip, më 28 qershor 1914, kur tërhoqi këmbëzën dhe vrau Arkidukën Franz Ferdinand. Një e shtënë nisi zinxhirin e ngjarjeve që e zhytën Evropën në Luftën e Parë Botërore. Shtëpia e Principit në Sarajevë, e cila u shkatërrua gjatë luftës, u rindërtua më pas dhe u kthye në një muze të Mbretërisë së Jugosllavisë. Pastaj shpërtheu Lufta e Dytë Botërore dhe 1.7 milion njerëz humbën jetën në Ballkan.

Gjatë luftës së dytë, shtëpia e Principit u shkatërrua për herë të dytë. Pasi udhëheqësi i rezistencës komuniste Tito themeloi një qeveri komuniste në Jugosllavi në 1944 dhe lufta mbaroi në 1945, shtëpia u rindërtua përsëri. Për më tepër, në Sarajevë u hap një muze kushtuar Principit. Por vetëm një dekadë pas vdekjes së Tito-s, luftërat e viteve 1990 shkatëruan ish-Jugosllavinë, duke shkaktuar mijëra viktima. Shtëpia e Principit u shkatërrua për herë të tretë, këtë herë nga qeveria e Bosnje-Hercegovinës. Muzeu i vjetër Princip u rimodifikua dhe i kushtohet tani Arkidukës Ferdinand dhe monarkisë së Habsburgëve. Por historia e tejkalon Bosnjën.

Në Republikën Çeke, qeveria post-komuniste e ktheu në muze shtëpizën e gjuetisë së Ferdinandit, në Konopishte, nga e cila ai u nis për në udhëtimin e pafat për në Sarajevë, ndërsa më parë, qeveria komuniste ceke, e kishte kthyer në muze burgun çek në Terezin ku vdiq Gavrilo Principi. Në Sarajevë, gjurmët e Principit nuk ekzistojnë. Ata u hoqën pas luftës 1992-95 nga qeveria e re kombëtare në Bosnjë dhe tani, në vendin ku ishin dikur gjurmët e tij, ekziston një memorial i thjeshtë prej druri me mbishkrimin në boshnjakisht, serbisht dhe anglisht: “Le të mbizotërojë paqja në tokë”.

Organizata “Dora e Zezë” që organizoi vrasjen e arkidukës ishin organizata sekrete, pjesë e lëvizjes çetnike serbe, që në fillim të shekullit XX, kishin si anëtarë të tyre nacionalistë, kriminelë, idealistë, të gjithë të organizuar në interes të Serbisë së Madhe. Pasi betoheshin për bindje, besnikëri dhe mbajtjen e sekretit, të rekrutuarit nga të gjitha shtresat e shoqërisë, kishin mbushur policinë, ushtrinë, diplomacinë, pushtetin gjyqësor, universitetin dhe shtypin. “Crna Ruka”, “Dora e Zezë”, funksiononte me moton “Ujedinjenje ili Smrt”, “Bashkim ose Vdekje”. E themeluar në maj 1903, nga strukturat e ushtrisë serbe, përflitet për herë të parë për organizimin e komplotit për vrasjen e mbretit serb Aleksandër Obrenoviq, masakrimin e tij në qershor të vitit 1903 dhe sjelljen në pushtet me puç të Petar Karagjorgjeviçit. Në vitin 1911, “Crna Ruka” e ndërroi emrin dhe u shndërrua në organizatën sekrete “Ujedinjenje ili Smrt”, “Bashkim ose Vdekje”. Nxjerr edhe revistën e saj “Pijemont” në  gusht 1911. Programi i organizatës “Crna Ruka”, synonte pushtimin e gjithë Ballkanit dhe serbizimin gradual të tij. Por organizata ishte kthyer në problem edhe për vetë Beogradin. Përpjekjet që bënin njerëz të politikës për të mos i pranuar mënyrat e saj dhe për ta shpërndarë, dështonin. Statuti i “Dorës së Zezë” është gjetur në Selanik, i nënshkruar nga dhjetë pjesëtarët e Drejtorisë Supreme Qendrore. Grupe satelite të “Dorës së Zezë” u formuan në Slavonia, Bosnjë e Hercegovinë dhe në Istria.

“Dora e Zezë” e kishte Komitetin Drejtues edhe në Prishtinë. Shteti serb, përmes “Dorës së Zezë” kishte krijuar edhe fonde sekrete, të cilat i ndante nëpërmjet konsullatës serbe në Prishtinë, për të paralizuar punën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. “Dora e zezë” udhëhiqej nga koloneli Apis i cili e koordinonte veprimtarinë në përputhje me politikën zyrtare serbe. Por pas luftës së parë botërore, Nikolla Pashiq, në qershor të 1917, në prani të vëzhguesve ndërkombëtarë, francez dhe anglez, organizoi një gjyq ushtarak në të cilin Dragutin Dimitrieviç Apis dhe grupi i oficerëve të organizatës “Dora e zezë” u shpallën fajtorë dhe u dënuan me vdekje.

Ekzekutimi i Apisit u bë me 26 korrik në Kretë dhe qeveria e Serbisë u rehabilitua nga qeveritë perëndimore. Edhe pse ishte iniciatore e luftës së parë botërore, Serbia u shpërblye dhe si kompensim, me 1918, fuqitë fituese të luftës pranuan krijimin e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene ku shpërblimi më i madh për Serbinë ishte futja e Kosovës dhe Maqedonisë në sovranitetin e saj. Dhe sigurisht, që për ta shpërblyer kolonelin Apis, në vitin 1953, në Beograd u përsërit procesi gjyqësor kundër Apisit dhe të tjerëve, ku ata u shpallën të pafajshëm. Siç dukej, “Dora e Zezë”, nuk kishte  vdekur kurrë!/abcnews.al