Aktivistja për të drejtat LGBT, Xheni Karaj, ka folur në “Provokacija” të Mustafa Nanos rreth një çështje, e cila është debatuar javën e kaluar.
Bëhet fjalë rreth takimeve që aktivistë të LGBT-s, që sipas saj, në bashkëpunim me Bashkinë dhe Ministrinë e Arsimit bëjnë në gjuimnaze për të informuar rreth çështjes së bullizmit.
Aktivistja tregoi edhe rreth rastit të bullizmit, tek një 16 vjeçar, i cili ka pranuar haptazi orientimin e tij seksual.
Sipas saj, pjesa dërrmuese e komunitetit nuk e ka treguar hapur orientimin seksual.
Xheni Karaj: “Në muajt e fundit, por u bënë vite që ne bëjmë trajnime për mësuesit dhe psikologët e shkollave në mënyrë që të dinë si të sillen në rastet e bullizmit”.
Mustafa Nano: “Ju të komunitetit LGBT”?
Xheni Karaj: “Aktivistët, unë vetë personalisht dhe psikologë të organizatës që janë pjesë e stafit. Ndërkohë heqim pjesën e trajnimeve. Ajo çka bëhet janë takime, thjesht takime informuese”.
Mustafa Nano: “Takime në grupe te vogla, apo takime në salla të mëdha”?
Xheni Karaj: “Takime me një klasë. Është një nismë që ne e kemi ndërmarrë në bashkëpunim me Bashkinë dhe Ministrinë e Arsimit. Kemi qenë në 5 gjimnaze të Tiranës. Një klasë që përbëhet nga 25 deri në 30 nxënës. Tani ku konsiston biseda në takim? Janë seanca informuese rreth bullizmit. Bullizmi është një problem për këdo, jo vetëm për persona të komunitetit. Ne kemi fëmijë që mund të jenë pak më të shëndoshë, fëmijë me syze, fëmijë romë, fëmijë me aftësi të kufizuar që bullohen në çdo moment në shkolla, ndërkohë kemi dhe persona të komunitetit LGBT që po braktisin shkollat, për shkak të bullizmit. Unë kam përmendur vazhdimisht një nga rastet më ekstreme që kemi hasur të paktën muajt e fundit i një fëmije në qytetin e Vlorës, që çdo ditë bullohet”.
Mustafa Nano: “Këta janë fëmijë që janë deklaruar publikisht që janë gay”?
Xheni Karaj: “Po. Rasti konkret është një 16 vjeçar që ka deklaruar në shkollë që unë kam këtë orientim seksual”.
Mustafa Nano: “Kjo është një gjë që ndodh shpesh në Shqipëri”?
Xheni Karaj: “Nuk ndodh shpesh. Pjesa më e madhe e komunitetit, le të themi mbi 90 përqind e komunitetit e jetojnë të mbyllur këtë orientim seksual dhe kjo nuk ndodh nga qejfi”./abcnews.al