Mitrovicë, arrestohet shefi i Zyrës Serbe për Kosovën

schedule18:55 - 26 Mars, 2018

schedule 18:55 - 26 Mars, 2018

Shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriç, është ndaluar nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e Veriut, pasi ka shpërfillur urdhërin e Prishtinës zyrtare që e ndalonte të hynte në Kosovë. Pavarësisht këtij urdhëri, Gjuriç ka hyrë në Mitrovicë, ku ka drejtuar një tryezë në kuadër të dialogut të brendshëm për Kosovën, me temën “Mbijetesa e institucioneve serbe”.

Më herët ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, kishte paralajmëruar arrestimin e zyrtarit serb Marko Gjuriç nëse futej në Kosovë pa leje. Përveç tij, hyrja në Kosove i ishte ndaluar edhe ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin.

Pak para se të arrestohej nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës, Marko Gjuriç po fliste në një takim me serbët në Mitrovicën e Veriut. Siç raporton “Novosti”, Gjuriç është shprehur se kishte ardhur në Mitrovicë për të diskutuar me serbët e Kosovës për të ardhmen e “krahinës jugore” siç e ka quajtur ai Kosovën.

Gjuriç ka porositur se pa serbët nuk ka zgjidhje për “Kosovën e Metohinë”. Zyrtari i lartë serb mësohet të jetë shprehur në këtë takim se Kosova dhe veriu i saj nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë kurrë pjesë e së ashtuquajturës Kosovë e pavarur e as pjesë e së ashtuquajturës Shqipëri e Madhe.

Mediat kosovare bejne te ditur se pas arrestimit të Marko Gjuric, ka pasur protesta nga serbët në Mitrovicë, ndërsa janë dëgjuar edhe të shtëna armësh.

Pas arrestimit në Mitrovicë, zyrtari serb është dërguar në stacionin policor në Prishtinë dhe siç bëjnë të ditur mediat kosovare, do të deportohet në Serbi.

Presidenti serb Aleksandar Vuçic e ka thirrur për sonte në orën 19:30 mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, te njoftuar per diten e neserme. Ky ndryshim ka ndodhur menjëherë pas lajmit për arrestimin e drejtorit të së ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë serbe, Marko Gjuriç.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se policia ka vepruar në përputhje me ligjet dhe kompetencat e saj, por ka bërë thirrje për qetësi. Ndërkaq përmes një mesazhi në Tëiter, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se hyrja e Gjuriçit në Kosovë ka qenë ilegale dhe në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit.

Ndërsa zëdhënësja e KE, Maja Koçijançiç i ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të tregojnë vetëpërmbajtje, në mënyrë që situata të mos përshkallëzohet.

Koçijançiç ka thënë për agjencinë e lajmeve “Beta” se çështjet me interes reciprok duhet të zgjidhen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, që synon normalizimin e marrëdhënieve./abcnews.al