Zgjedhjet presidenciale në Egjipt, AL SISI drejt një mandati tjetër

schedule13:31 - 26 Mars, 2018

schedule 13:31 - 26 Mars, 2018

Në Egjipt votohet për zgjedhjet presidenciale që zgjasin 3 ditë. Opozita nuk ka nominuar kandidat dhe në këtë mënyrë presidenti në pushtet Al Sisi shkon i sigurtë drejtë një mandati tjetër në drejtim të vendit.

Në Egjipt filluan zgjedhjet presidenciale tre-ditore, të cilat kundërshtohen dhe bojkotohen në mënyrë masive nga opozita. Qendrat e votimit në të gjitha provincat egjiptiane janë hapur në orën 9 të mëngjesit, sipas kohës lokale, dhe votuesit kanë kohë 3 ditë për të votuar. Në garën presidenciale në Egjipt marrin pjesë dy kandidatë, presidenti aktual Abdel Fattah al-Sisi dhe kryetari i Partisë “Nesër” Musa Mustafa Musa.

Rreth 60 milionë qytetarë kanë të drejtë vote. Në procesin zgjedhor, janë angazhuar 103 mijë zyrtarë egjiptianë, ndërsa procesi mbikëqyret nga 18.678 përfaqësues të drejtësisë. Zgjedhjet në Egjipt ndiqen edhe nga nëntë organizata të huaja dhe 680 gazetarë të huaj të akredituar.

Partitë dhe grupet e opozitës, përfshirë edhe Vëllazërinë Muslimane pothuajse në tërësi bojkotojnë zgjedhjet. Kandidati presidencial Musa, i vetmi rival i presidentit aktual al-Sisi, në qarqet opozitare konsiderohet si një politikan i parëndësishëm, të cilin struktura egjiptiane në pushtet e ka instaluar që të krijohet përshtypja e garës në procesin zgjedhor. Analistët parashikojnë se Al-Sisi që në raundin e parë do të festojë fitoren me shumicë absolute. E vetmja paqartësi mbetet pjesëmarrja në votime. Ndërkohë, rezultatet e zgjedhjeve do të shpallen më 2 prill. /abcnews.al