Vatra në QSUT, Pipero: Ka çaluar sistemi i marrjes së masave mes bluzave të bardha

schedule20:27 - 28 Maj, 2020

schedule 20:27 - 28 Maj, 2020

Ditën e sotme janë konfirmuar me koronavirus 26 raste të reja me koronavirus. Të gjitha këto raste janë regjistruar në Tiranë.

Ministria e Shëndetit njoftoi se brenda 24 orëve të fundit janë testuar 73 personel shëndetësor, nga të cilët 12 kanë rezultuar pozitivë, në QSUT, të gjithë pa simptoma. Në total janë 20 të prekur në QSUT, personel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të rastit të infermieres.

Duke folur për dy vatrat e reja në Tiranë, mjeku infeksionist Pëllumb Pipero u shpreh në “Mbrëmje në Abc” se bëhet fjalë për dy vatra të cilat janë të izoluara dhe se po bëhet hetim epidemiologjik për të gjitha rastet e kontaktit.

Sa i përket rasteve në QSUT, Pipero thotë se diku ka çaluar sistemi i marrjes së masave parandaluese mes bluzave të bardha. Mjeku shpjegon se infermierja ka qenë e pakujdesshme ndaj shëndetit të saj dhe ka shkuar në punë pavarësisht simptomave.

Gjithsesi, edhe pse kemi një rritje të rasteve, Pipero shprehet optimist:

“Nëse në 3 ditë kemi 60 apo 70 raste pozitive, po t’i spostojmë një muaj më parë do kishim 30 të shtruar në spital, ne tani nuk kemi asnjë, më parë kishim 1 apo 2 në spital..Kjo pasi 95% janë pa simptoma. Duke qenë se janë institucione duhet të evidentohen, testohen, për të ndërprerë zinxhirin epidemiologjik.”

Pipero shton se ky është një sinjal i fortë që bluzat e bardha të mos jenë të shkujdesur dhe të lënë mënjanë protokollet, për të cilat ai thotë se janë por duhet të respektohen.

Pëllumb Pipero: “..Në radhë të parë, është përgjegjësi e çdo bluze të bardhe, jemi të trajnuar, të mësuar..pastaj është përgjegjësi institucionale. Ne nuk jemi rasti i parë në botë që ndodh te bluzat e bardha. Dua të nënvizoj që u identifikua shpejt dhe u izolua. Sot janë marrë analiza edhe për kontaktin e fund. Impakti jashtë spitalit është zero.”

Ndërsa, sa i përket protokollit që duhet të ndjekin mjekët që janë në vijën e parë në luftën kundër Covid-19, Pipero thotë se problemi është tek neglizhenca.

Pipero: “Protokoll ka, problemi është t’i zbatojmë. Problemi është te neglizhenca. Mos harroni që janë 15 persona që nuk vinë dot në punë në spital. Duhet të rrinë në shtëpi të vetizolohen. Ka një sërë pasojash që mund të ishin parandaluar nëse ekipi i mjekëve do të ishte i përgjegjshëm.” 

Ndërsa, sa i përket rihapjes së vendit, mjeku theksoi se nuk rekomandohet që t’i shmangim daljet, takimet me njerëz, apo edhe ecjet. Mjafton, shton ai, që koha e ekspozimit të jetë e shkurtër.

Nëse ekspozohemi në kohë të shkurtër ndaj virusit, shton Pipero, përfitojmë pasi edhe mund ta marrim pa zhvilluar sëmundjen e të përfitojmë imunitet. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!