Qeveria shfuqizoi aktin normativ që ndalonte mbajtjen e seanca gjyqësorë. Gjykimet e munguara që prej 25 marsit, mund të rifillojnë si për çështje penale, ashtu edhe për ato administrative, apo civile.
Veçse qeveria detyron gjykatat që të kenë parasysh kushtet e sigurisë, e në këtë mënyrë, në seanca të mos ketë publik dhe ato të jenë të mbyllura.
Në to mund të marrin pjesë vetëm palët, të burgosurit dhe të paraburgosurit, avokatët e tyre, prokurorët, gjyqtarët dhe stafi i tyre i domosdoshëm ndihmës.
Sa u takon dëshmitarëve, ekspertëve apo palëve të tjera, do të marrin pjesë për mes lidhjes me video në distancë, sa herë të jetë e mundur dhe me dakordësi.
Në rastet kur seancat gjyqësore zhvillohen në distancë, provat, dokumentet shkresore si dhe çdo akt tjetër procedural i paraqiten gjykatës ose edhe palëve nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik si dhe dërgohen, brenda të njëjtës ditë, nëpërmjet shërbimit postar, me dërgesë të porositur.
Detajet e këtyre procedurave duhet të saktësohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Ndërkohë me një VKM tjetër, qeveria ka lejuar edhe zhvillimin e procedurave përmbarimore dhe të ndërmjetësimit, edhe këto të bllokuara që prej marsit. /abcnews.al/