Finlanda e ka klasifikuar sëmundjen e shkaktuar nga lloji Andes i hantavirusit si një “rrezik për shëndetin publik”, pas rasteve të mundshme të ekspozimit të raportuara në vend.
Siç raporton transmetuesi publik YLE, ky klasifikim mundëson kompensim për personat që detyrohen të qëndrojnë larg punës pas ekspozimit të mundshëm ndaj virusit.
Megjithatë, ministrja finlandeze e Sigurimeve Shoqërore, Sanni Grahn-Laasonen tha se autoritetet e konsiderojnë nivelin aktual të rrezikut të kufizuar. Ajo thekson se virusi paraqet “rrezik shumë të vogël për shëndetin publik për momentin”.
Vendimi vjen pas raportimeve nga Instituti Finlandez për Shëndetësi dhe Mirëqenie se dy persona mund të jenë ekspozuar ndaj hantavirusit gjatë një fluturimi muajin e kaluar.
Sipas zyrtarëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), shpërthimi që përfshin llojin Andes të hantavirusit, ka rezultuar në pesë raste të konfirmuara, përfshirë tre vdekje.
Shkencëtarët konfirmuan se shpërthimi u shkaktua nga lloji i rrallë Andes i hantavirusit, i vetmi lloj i njohur që mund të transmetohet nga njeriu te njeriu, zakonisht përmes kontaktit të ngushtë.
OBSH-ja tha se dy pasagjerë që më vonë vdiqën kishin udhëtuar në Argjentinë, Kili dhe Uruguaj, para se të hipnin në anijen turistike “MV Hondius”, ku ishte raportuar hantavirusi.


