Elbasani vuan prej vitesh në Kategorinë e Parë. Skuadra e njohur e futbollit shqiptar, ka qenë më afër rrëzimit në Kategorinë e Dytë sesa rikthimit në Superiore. Ultrasit e verdhebluve, i kanë drejtuar kryetarit të Bashkisë Elbasan, zotit Gledjan Llatja, një letër të hapur, aty ku paraqesin tre kërkesat e tyre për “ringjalljen” e skuadrës së zemrës.
“Duke parë situatën aktuale (skandaloze) të skuadrës së qytetit tonë, Elbasani, i drejtohemi me këtë letër të hapur opinionit sportiv në Elbasan, veçanërisht Kryetarit të Bashkisë Elbasan z. Gledjan Llatja.
Bashkia, si aksionere kryesore e skuadrës, pasi e ka dorëzuar ekipin në duar të pasigurta, tashmë s’po bën asnjë hap pas për të ringritur ekipin, madje deri më tani, kontributet e saj janë zero në ekipin e futbollit. Por, duam të sqarojmë paraprakisht se nisma jonë nuk është aspak e politizuar apo e telekomanduar nga dikush.
Gjithashtu, figura e juaj z. Llatja, gëzon respekt. Gjithçka e bëjmë si pasojë e dashurisë së pavdekur ndaj dy ngjyrave të përjetshme verdheblu. I nderuar kryetar, po kërkojmë një takim direkt me ju, për të diskutuar problemet e skuadrës. Do të ishte mirë të merrte pjesë edhe z. Arben Laze, si aksioner i skuadrës.
I drejtohemi Bashkisë, sepse në kalimin e klubit në një shoqëri anonime si “Manchester Group” dhe mos marrja mbrapsht e aksioneve, apo procedurat e pa nisura gjyqësore, për rikthimin e aksioneve pas tek zotëruesit e mëparshëm, janë tregues të qartë të harresës ndaj KF Elbasanit. Për më tepër, Bashkia është institucioni i vetëm përgjegjës për futbollin dhe sportin e qytetit. Ajo çfarë në kërkojmë paraprakisht, do t’i rendisim si më poshtë:
-Nisjen e procedurave gjyqësore për marrjen pas të aksioneve të skuadrës nga pronarët e mëparshëm.
-Garanci financiare për skuadrës në një projekt 3-vjecar.
-Përkrahje aktuale e futbollistëve të Elbasanit. Duke pritur mirëkuptimin tuaj, ju falënderojmë për vëmendjen“, përfundon letra e ultrasve verdheblu. /abcnews.al