Brazili tha se do të vazhdojë përdorimin e hidroksiklorinës dhe të klorokinës kundër koronavirusit, edhe pse Organizata Botërore e Shëndetësisë e pezulloi testimin e këtyre dy ilaçeve, për shkak të shqetësimeve për sigurinë.
Javën e kaluar, një studim në revistën mjekësore The Lancet ka konstatuar se hidroksiklorina nuk sjell përfitime në trajtimin e pacientëve me koronavirus dhe se përdorimi i saj mund t’i rrisë shanset e tyre për të vdekur.
“Ne do të mbetemi të qetë dhe nuk do të bëjmë ndryshime”, tha një zyrtar i shëndetësisë në Brazil.
Hidroksiklorina përdoret kundër malaries ose artritit, por asnjë testim klinik nuk e ka rekomanduar përdorimin e saj për trajtimin e COVID-19 – sëmundjes që shkaktohet nga koronavirusi.
Brazili është vendi i dytë më i prekur me koronavirus, pas SHBA-së. Afro 375,000 njerëz atje janë infektuar, ndërsa mbi 23,000 kanë vdekur./abcnews.al