Sulmi terrorist në Francë, rëndohet gjendja e të plagosurve

schedule18:22 - 23 Mars, 2018

schedule 18:22 - 23 Mars, 2018

Forcat speciale në Francë kanë vrarë 26-vjeçarin që qëlloi për vdekje tre persona dhe plagosi 5 të tjerë në një seri sulmesh të kryera në jug të vendit. Agresori, i identifikuar nga autoritetet si Reduan Lakdim, u prezantua si militant i Shtetit Islamik. Sipas mediave franceze, ai i kreu vrasjet dhe plagosjet në tre ngjarje të ndryshme që nisën në Karkason, 15 minuta larg me makinë nga lokaliteti Trebes, ku u fut në një supermarket dhe mori peng të pranishmit.

Ai ishte i armatosur deri në dhëmbë dhe gjatë pengmarrjes kërkonte lirimin e Salah Abdeslam, i dyshuari kryesor për sulmin e 13 nëntorit 2015, ku mbetën të vrarë 130 persona. Kryeministri francez Eduard Filip deklaroi se të dhënat e mbledhura sugjeronin se bëhej fjalë për një akt të pastër terrorist dhe saktësoi se disa nga të lënduarit ndodhen në gjendje të rëndë. Pasi ekzekutoi me plumb në kokë një qytetar dhe plagosi një tjetër për t’u marrë makinën, i riu qëlloi ndaj një grupi policësh duke lënë të plagosur njërin prej tyre.

Më pas ai udhëtoi drejt Trebes, ku u fut në supermarket dhe klithi “Allahu Akbar! Unë jam një ushtar i Shtetit Islamik” dhe mbajti për disa orë peng njerëzit. Disa qindra efektivë të policisë u vendosën në zonë dhe izoluan perimetrin. Një oficer i xhandarmërisë, 45 vjeç, doli vullnetar për t’u ndërruar me një nga pengjet. Ai e mbajti linjën e celularit të tij hapur, në mënyrë që policia të monitoronte situatën. Oficeri, i konsideruar nga ministri i Brendshëm Zherard Kolomb një hero, u qëllua nga autori dhe mbeti seriozisht i plagosur.

Kur efektivët dëgjuan të shtënat brenda supermarketit vendosën të organizonin blicin, gjatë të cilit agresori mbeti i vrarë. Ministri Kolomb deklaroi për mediat se Lakdim ishte i njohur për krime të vogla si vjedhje dhe posedim droge, por nuk ka pasur të dhëna që të sugjeronin një radikalizim të tij. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!