Kontratat që skadojnë dhe katër pagat, kapiteni Lika tregon situatën te Vllaznia

schedule17:41 - 25 Maj, 2020

schedule 17:41 - 25 Maj, 2020

Vllaznia kthehet në stërvitje në këtë fillim jave, pas premtimit të kryetares së Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi. Kapiteni Lika deklaroi se u janë premtuar të 4 rrogat e prapambetura, por problem është mungesa e stërvitjes.

Kryengritja zgjati tri ditë dhe siç ndodh gjithnjë, diçka e arriti. Futbollistët e Vllaznisë u kthyen në stërvitje, pas një takimi me kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, dhe duan të mendojnë pozitivisht se rrogat do të jepen.

Në emër të tyre foli kapiteni Gilman Lika, i cili u shpreh: “Çunat janë me të drejtën e Zotit dhe ajo që kam thënë, është e vërtetë. Shpreh mirënjohjen për mirëkuptimin që na ka dhënë kryetarja e Bashkisë, që na ka premtuar se do të marrim pagat e prapambetura. E rëndësishme është që kemi marrë fjalën e kryetares për të marrë pagesat e plota”, tha mes të tjerash Lika.


Problem më vete janë kontratat që përfundojnë në 31 maj, ndërsa sezoni është shtyrë. Vllaznia ndihet e penalizuar sepse thuajse nuk është stërvitur, ndërsa shumë nga ekipet e tjerë të Superligës e kanë bërë. Për më tepër, trajneri Jonuz dhe shumë lojtarë të huaj nuk janë bashkuar ende me grupin.

Problemet e Vllaznisë janë të natyrës institucionale, të paktën siç pohoi kryetarja e Këshillit Bashkiak, Brisela Kadia, përfaqësuese e PS-së. Në pritje të pagave, tek Vllaznia shpresojnë që kampionati të shtyhet të paktën me 1 javë, që lojtarët të kenë më shumë mundësi për t’u stërvitur.