5 vende europiane mund të vendosin të përjashtojnë diplomatët ruse, pas përplasjeve diplomatike të shkaktuara pas helmimit të ish-spiunit të KGB, Sergei Skripal në Britani. Lajmi është konfirmuar mga Financial Times.
Disa vende europiane janë të gatshëm të përjashtojnë diplomatë ruse si pasojë e helmimit të ish-spiunit rus në Britaninë e Madhe. Deklarata është bërë nga një funksionar i lartë i Bashkimit Europian në përfundim të ditës së parë të Këshillit Europian në Bruksel.
Sipas të njëjtit burim, një numër i caktuar shtetesh anëtare po marrin në konsideratë idenë për të dëbuar diplomatët rusë apo të thërrasin në vend diplomatët e tyre që janë në Rusi. Gjithsesi, ai nuk ka dhënë emra të këtyre shteteve.
Financial Times shkruan se të paktën pesë vende, Franca, Polonia, Estonia, Letonia e Lituania po marrin parasysh të dëbojnë diplomatët rusë si reagim ndaj helmimit të ish-spiunit të KGB-së. Akuzat e liderëve europianë ndaj Moskës për përgjegjësi rreth asaj që ndodhi në Salosburi i hap rrugën dhe mundësisë për sanksione ndaj Rusisë.
Italia, Greqia, Hungaria dhe Qipro kundërshtuan të akuzonin drejt për së drejti Moskën. Ndërsa nga ana tjetër Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca janë të bindur për përgjegjësitë e Rusisë në këtë rast./abcnews.al

