Sinan Idrizi do të largohet nga Flamurtari. Administratori i deleguar i klubit vlonjat, ka folur troç për emisionin “E Diell” në Top Channel, aty ku ndalet te FSHF, dështimi te kuqezinjtë (do të luajnë sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë), objektivi i mbetur dhe të ardhmen e klubit.
FSHF – “Unë kam votuar për të paktën katër çështje kundër në Asamblenë e Futbollit. Kam votuar kundër edhe për një anëtar të PD-së që ka hyrë në futboll, Alibeaj, i cili është një apandesit i tepërt për ne. Nuk dua që të bëj opozitarin, por është një gjë që nuk më pëlqen”.
FLAMURTARI – “Në rastin konkret unë jam një dështak, kam dështuar në sezonin aktual dhe e kam pranuar. Nga ana tjetër, dua të provoj veten në kushtet e një administrimi tjetër. Sot, Flamurtari nuk administrohet nga një biznesmen, por nga një deficient i vetëdijshëm që e ka kthyer veten në një bankomat të prishur”.
OBJEKTIVI – “Deri në 31 korrik kam marrë obligimin që të zeroj të gjitha borxhet e Flamurtarit. I bëj thirrje mikut tim të nderuar Shpëtim Gjika, që të vijë dhe të shlyejë ato dy kompani që ka bllokuar me foton e Flamurtarit, që të kemi mundësinë për të zeruar borxhet. Unë dua që në 31 korrik të mos i lë atij tjetrit, pasardhësit, nëse do të jetë më i mirë se mua dhe nëse unë nuk do të vazhdoj, që të mos i lë borxhe barrë”.
E ARDHMJA – “Unë nuk kam qenë kurrë presidenti i Flamurtarit, por administrator. Në datën 31 korrik më mbaron kontrata dhe nuk do të jap asnjë ofertë, por do të zeroj të gjithë borxhet dhe problemet financiare. Do të pres që të japin ofertën ata zotërinjtë që janë çjerrë dhe e bëjnë më mirë nga mua këtë punë. Një gjë është e sigurt, oferta ime do të jetë e fundit që do të jepet. Nëse nuk do futet dikush tjetër, atëherë do të hyj unë. Të presim njëherë ata që do të mbledhin nga 1 dollar rrugëve të Vlorës, nga ata që flasin nga cepat e botës. Nëse do të jetë dikush tjetër që do të hyj, atëherë unë nuk jap ofertë”. /abcnews.al