Mustafa Nano në monologun e tij në “Provokacija” i është drejtuar me një apel publik kryeministrit Edi Rama, Presidentit Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.
Këta të fundit mbrëmë kane qenë më shumë se 2 orë në ekranet televizive, ndërsa Nano duke iu referuar këtij fakti thotë se ka ardhur koha që ata të largohen.
Sipas Nanos këto tre figura kanë ushtruar përgjegjësitë më të mëdha politike në vend, ndërsa siç thotë ai nuk u ka munguar as pushteti absolut.
“Keni pasur pushtet absolut. Ju nuk keni qeverisur, keni sunduar. Pikërisht se keni pasur pushtet absolut ju i keni bërë këtij vendi dëme të pallogaritshme. Ju nuk keni bërë kurrë gabimin të mos bëni një gjë të gabuar”, shprehet Nano mes të tjerash.
Monologu nga Mustafa Nano:
Po e nis monologun për sonte më një pyetje që po ua bëj juve. Çfarë keni bërë mbrëmë pas orës 09:00? Keni parë televizor? Nëse po dhe me siguri që po, atëherë jeni gjendur pa vullnetin tuaj në një dhunë televizive të paparë. Edi Rama, Sali Berisha dhe familja Meta, Lulzim Basha i shkretë nuk ekziston fare në këtë dynja. Rama, Berisha dhe Meta, madje edhe Kryemadhi, por po e lë mënjanë për ti bërë shoqëri Bashës këta kanë qenë mbrëmë në studiot televizive të vendit. Dhe secili prej tyre ka qenë të paktën 2 orë e gjysmë dhe kjo ka qenë një dhunë psikologjike, sipas meje e ngjashme me atë policore.
Unë duke qenë se jam këtu duhet tu bëj apel këtyre xhentëllmenëve. Apeli im është ky: zotërinj mendoni largimin, dhe me këtë kam parasysh të na hiqeni sysh, duke iu uruar shëndet të plotë.
Keni 30 vjet që jeni në pushtet dhe keni ushtruar përgjegjësitë më të mëdha politike në këtë vend, atë të Presidentit, kryeministrit, kryetarit të bashkisë. Keni pasur pushtet absolut. Ju nuk keni qeverisur, keni sunduar. Pikërisht se keni pasur pushtet absolut ju i keni bërë këtij vendi dëme të pallogaritshme. Ju nuk keni bërë kurrë gabimin të mos bëni një gjë të gabuar. Po e përsëris se kjo që thashë më duket shumë e saktë: Ju nuk keni bërë kurrë gabimin të bëni një gjë të gabuar. Dhe kjo është arsyeja e parë pse ju duhet të largoheni.
Unë do them një 3-4 arsye, jo me gjuhën tuaj. Arsyeja e dytë është se ju nuk jeni njerëz të lirë. Ju nuk jeni më njerëz të lirë më, se ndoshta edhe mund të keni qenë. Ju jeni robër të miqësive, që janë të çuditshme dhe të dyshimta. Ju jeni robër të ambicies dhe tahmasë për pushtet.
Një arsye e tretë është kjo. Ju keni promovuar në vijimësi, keni dhuruar përgjegjësi dhe poste publike për njerëz që nuk kanë pasur moral. Kanë qenë hiçër dhe kanë mbetur hicër. Me këtë që keni bërë, i keni bërë një dëm të madh vendit, sidomos rinisë. Mund të lodheni, mund të djersiteni, ju mund të studioni shumë, në universitete të mira, por nuk kanë rëndëis këto gjera. Nëse doni të bëni karrierë politike në Shëipëri dhe adminstratë, ju duhet të keni vetëm një gjë në CV tuaj, aftësinë për të na u qurravitur neve. Që me fjalë të tjera duhet të bëheni anëtarë të forumeve rinore të partive, të FRPD, FRESS. Ndryshe nuk keni për të bërë hajër. Ky ka qenë mesazhi që ju keni përcjellë të gjithëve, sidomos të rinjve dhe të rejave. Kjo është arsyeja kryesore, për të mos thënë e vetmja që të rinjtë duan ta lënë këtë vend.
Një arsye e katërt, po e bëj në formë pyetje. Nëse ju largoheni sot, ma vini veshin mua, dhe largoheni çfarë mbetet prapa, cila është vepra juaj? Po ua them unë, nuk mbetet asgjë, me përjashtim të ndonjë ure, rruge apo shkolle. Asgjë tjetër, në lëmin e shtet formimit keni bërë vetëm dëme, nuk keni bërë reforma të mëdha. Edhe ajo në drejtësi ju e keni katranosur rrugës. Berisha dhe Meta e kanë bërë nëpërmjet sabotimit të qartë, ndërsa socialistët e kanë bërë duke thënë në publik kur i jans drejtuar kundërshtarëve, ja po baht SPAK, ku do shkoni ju. Duke krijuar idenë që SPAK dhe Reforma në Drejtësi janë bërë për të ndëshkuar kundërshtarët e socialistëve.
Ju keni ngritur gjëra të çmontueshme dhe ky është dëmi i madh që i keni bërë vendit. Cdo gjë që keni ngritur, çdo institucion e keni ngritur për ju vetë dhe për njerëzit tuaj. I keni bërë gjërat të çmontueshme. Dhe pasi është bërë alternimi në pushtet me kundërshtarët tuaj, kundërshtari me të ardhur në pushtet gjëja e parë që ka bërë dhe më e lehta ka qenë të çmontojë atë të ngritur prej jush.
E mbani mend kur erdhën socialistët në pushtet, demokratët me tu larguar filluan menjëherë dhe u futën në binarë opozitarë dhe u morën me çdo gjë. Por nuk ngritën zërin kur qeveria filluan të mbushin administratën publike me militantë të PS, sepse këtë gjë e konsideronin normale se e kishin bërë vetë para tyre. Dhe u duhet ta bëjnë prap kur të vijnë.
Janë dëgjuar disa zëra të rëndësishëm këto ditë pas prishjes së teatrit dhe ato zëra na kanë thënë, janë zëra të rëndësishëm të opozitës, kanë bërë premtimin qesharak, të çmendur: Që me të ardhur në pushtet gjëja e parë që ka bërë, sapo të punësojmë militantët tanë, të rrëzojmë teatrin e ri që ndërkohë do jetë ndërtuar, i Edi Ramës dhe do ndërtojmë teatrin e vjetër ashtu siç ishte.
Kjo është çmenduri dhe unë nuk kam fjalë për ta përkufizuar këtë lloj premtimi. Këto janë arsyet që më bënë mua të bëj këtë apel, që po e përsëris: Filloni dhe mendoni zotërinj, Rama, Berisha dhe Meta largimin tuaj nga politika. Është koha që ta bëni, madje koha ka kohë që ka qenë.
/abcnews.al