Shembja e TK, Kame: Debati u kthye në politik, duhej zgjidhur në tavolinë

schedule18:02 - 22 Maj, 2020

schedule 18:02 - 22 Maj, 2020

I ftuar në studion e Abc News, aktori dhe regjisori Genti Kame foli për çështjen e shembjes së Teatrit Kombëtar.

Kame tha mes të tjerash se problemi kryesor nuk është godina, por çfarë po bëhet me artistët në këto 30 vite. Sipas tij debati për teatrin nuk u bë teknik, por u kthye në politik.

“Problemi kryesor është këto 30 vitet e fundit çfarë po bëhet me artistët.  Njerëzit po i shikojnë në celular falas, televizionet po i japin falas filmat, teatrot nuk paguhen. Të gjithë këta njerëz që e duan teatrit sot, pro apo kundër, të cilitdo krah politik a shkojnë këta i mbushin sallat e teatrit.

Një teatër nuk është një dërrasë dhe 5 karrige. Skena e këtij teatrit të vjetër e kishte gjatësinë 8 m, thellësinë 14. Një teatër minimal modern duhet ta ketë 16, 26. Ka edhe që e kanë 36. Thellësia e skenës është 40 metra se aty bëhet shfaqja. Ky debat nuk u bë teknik midis njerëzve të këtij zanati. Ky debat u kthye në politik. Është çështje sistemi”, u shpreh ai.

Për protestën e artistëve, Kame tha se gjithsecili ka të drejtë të shprehë idetë e veta. Ndërsa shton se artistët kanë gjëra më të rëndësishme për të cilat do të duhet të protestonin.

“Ne duam krijimin e një sistemi. Gjithsecili ka të drjetë të shprehë idetë e veta, dhe unë i përshëndes. Por duhet të protestohet për statusin e artistit për të drejtat e autorit”, tha aktori.

I pyetur nga Endri Xhafo nëse do të dëshironte teatrin siç ishte të rindërtuar, apo një të ri, Kame tha:” Mua s’më duhet lëvozhga më duket skena. Bëhet aty apo diku tjetër është një debat teknik. S’më duhet. Vetëm artistët dhe inxhinerët duhet të ishin mbledhur dhe duhet të kishin rënë dakord. Shteti vetëm duhet të ishte aty si rregullator. Ne duam që mos dalim më në protesta, se ka humbur çdo logjikë protesta në këtë vend. Nuk është rruga arbitri. Sot po shahet Kadareja. Cdo gjë duhet të zgjidhet teknikisht në tavolinë”, tha ai. /abcnews.al