Lajmi i sotëm i vdekjes së Luigi Simonit, e ka trishtuar shumë Rey Manajn. Ish-futbollisti dhe trajneri i njohur italian, u largua nga kjo botë në moshën 81-vjeçare pas një sëmundje dhe të shumta kanë qenë mesazhet e ngushëllimit.
Sulmuesi i Barcelonës dhe kombëtares kuqezi, e njohu nga afër Simonin gjatë kohës që luajti te Cremonese, periudhë në të cilën italiani ishte presidenti i klubit. Manaj ka bërë një postim në rrjetet sociale dhe e kujton në këtë formë Simonin.
“I dashur president, sot është një ditë shumë e trishtë për të gjithë dashamirësit e futbollit. Dua të të falënderoj për gjithçka ke bërë për mua. Ti më ke trajtuar gjithmonë si djalin tënd, gjithmonë përpiqeshe të më ndihmoje.
Ndihem krenar që kisha një udhërrëfyes si ti, i respektueshëm, inteligjent dhe njëri i mirë si pak të tjerë. Në këtë moment nuk i gjej fjalët e duhura për t’u shprehur, më vjen shumë keq president. Faleminderit“, shkruan Manaj. /abcnews.al