Kaos te Vllaznia sa i takon pagave të munguara. Muaji shkurt, mars dhe prill, nuk është marrë nga futbollistët e ekipit shkodran, ndërsa administratori Lici dhe kapiteni Gilman Lika, kanë folur për mediat sot.
Administratori i Vllaznisë, Suad Lici, ka sqaruar: “Ne kishim një takim me skuadrën, natyrisht kërkonin pagesën e muajit shkurt. Ndërsa për marsin dhe prillin, kërkonin informacion. Ne jemi të detyruar të zbatojmë ligjet e shtetit shqiptar, pasi nuk janë miratuar financat, i kemi të bllokuara. Diskutova me lojtarët, gjendja e pandemisë ka bërë të veten, nuk mund të paguajmë një punë të pabërë. Ata janë në të drejtën e tyre, ndërkohë që siç dihet, jep shteti minimumin jetik. Çdo gjë ishte transparente, shpresojmë që brenda dy javëve të zgjidhet. Deri në janar, i kemi likuiduar të gjithë 100%”, tha Lici mes të tjerash.
Ndërsa kapiteni Gilman Lika, tha: “Muaji fundit që kemi marrë rrogën është muaji janar. Askush nuk është paguar, jabanxhinjve nuk u është siguruar as ushqimi dhe u janë prerë dritat. Kështu luhet futboll?! Paga e FSHF-së nuk del për të shtyrë një javë. Propozimi ynë është të paguhemi rregullisht deri në fund të majit, pastaj të vendosë klubi një pagë minimale.
Duhet të paguhet qiraja dhe ushqimi i futbollistëve, kjo është minimale. Është vendim i marrë nga të gjithë lojtarët, kemi disa ditë që e kemi diskutuar. Unë po flas në emër të gjithë grupit, do të vazhdojmë derisa të zgjidhet situata, nuk mund të vazhdohet më kështu.
“Këta na thonë se është faji i Këshillit Bashkiak dhe ne nuk e dimë si qëndron puna. Ne do ta vazhdojmë bojkotin deri sa të zgjidhet gjithçka. Ne po kërkojmë dikë që të flasim dhe ta zgjidhim këtë, të krijohet një takim dhe të gjejmë zgjidhje. Me kryebashkiaken nuk kemi komunikuar. Kjo mund të jetë një luftë politike, por nuk na intereson aspak, ne përfaqësojmë Vllazninë. Ne duam të marrim pagat, të paguhen qiratë për jabanxhinjtë dhe ushqimi.”/abcnews.al