Myftiu i i Tiranës Lauren Luli mbrëmjen e kësaj të marte ka qenë në studion e Abc News ku është shprehur se muaji i Ramazanit këtë vit ka qenë shumë i vështirë. Luli në fjalën e tij ka theksuar se për të gjithë myftit dhe besimtarët ka qenë e vështirë që ta mendojnë muajin e Ramazanit larg xhamisë.
Ndër të tjera ai ka theksuar se një ditë më parë kanë marrë vendimin për hapjen e xhamive përmes një protokolli strikt, duke i dhënë një ngjyrë tjetër tashmë ditëve të fundit të Ramazanit.
“Ky Ramazan ishte tepër i vështirë të shikosh Mekën bosh, dhe xhamitë tona të pa frekuentuara është e vështirë. Ne po kalojmë një Ramazan që nuk e kishim menduar ndonjeherë që xhamitë do ti kishim bosh, se besimtarëve do ju mungonte falja masive që ne i quajmë namazi i Teravizë, që është simboli i muajit të Ramazanit dhe tryezat e iftarëve ku merrnin pjesë shumë njerëz. Të ndash kënaqësinë me të tjerët është kënaqësi e këtij muaji. Ne sivjet kemi gjetur një tjetër mënyrë, kemi përdorur paketimin e ushqimit dhe me katering ju kemi dërguar familjeve ushqim. Dhe ne kemi 600 deri në 700 familje që ju shkon pako ushqimore. Dje ne kemi marrë vendimin që të nisë hapja e xhamisë përmes një protokolli strikte, duke parë dje dhe sot ka pasur një numër të vogël besimtarësh, por shikojmë se besimtarëve ju është kthyer shpresa për ta përjetuar edhe njëherë këtë ndjesi. Duket se ka marrë një aromë më ndryshe Ramazani në ditët e fundit”, është shprehur Myftiu i Tiranës.
Gjithashtu myftiu është shprehur se ndihet mirë që domëthënia e Natës së Kadrit ka kaluar kufinjtë për të qenë vetëm e rëndësishme për myslimanët.
“Nata e Kadrit tashmë i ka kaluar kufinjtë për të qenë vetëm për besimtarët myslimanë, ka kaluar tek individë që nuk i përkasin besimit myslimanë. Besimi është diccka individuale dhe nuk mund të imponohet”, është shprehur myftiu.
Ndër të tjera ai ka theksuar se këtë vit është menduar që për shkak të pandemisë falja do të bëhet nëpër oborret e xhamive për të shmangur grumbullimet e shumta./abcnews.al