Peru, sekuestrohen 1.5 ton kokainë me destinacion Europën

schedule22:27 - 20 Mars, 2018

schedule 22:27 - 20 Mars, 2018

Policia peruane ka sekuestruar në një operacion blic një sasi prej 1.5 ton kokainë, që kishte si destinacion Europën. Lënda narkotike do të transportohej në rrugë detare, përmes një anijeje konteinerësh.

Policia peruane ka sekuestruar një sasi prej 1.5 ton kokainë, e cila po bëhej gati për t’u nisur në Europë në bordin e një anijeje mallrash. Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet lokale. Shefi i policisë, gjenerali Richard Zuibate ka deklaruar se, lënda narkotike u gjet në një kamion në portin Kallao, pranë kryeqytetit Lima.

Mësohet se 7 persona, anëtarë të një bande të njohur si “Ninxhat”, që në fshehtësi hapnin konteinerët për të ngarkuar drogën, janë arrestuar. “Ne mendonim se ishte një mit, por ky grup ekziston. Janë njerëz shumë të shkathët të cilët, të veshur me të zeza, zhvendosen nga konteineri në konteiner për të futur drogën”, ka thënë zyrtari i lartë. Ai ka saktësuar se, lënda narkotike ishte nisur nga lugina e lumit Apurimak, një nga vatrat e prodhimit të kokainës, ku veprojnë ish-njësitë guerrile dhe trafikantët. Peruja është një ndër tre prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në botë, me rreth 400 tonelata në vit, sipas shifrave të fundit zyrtare. /abcnews.al