Zbardhet vendimi për garancinë sovrane prej 150 mln dollarë, sektorët që përfitojnë kredi me 5%

schedule22:39 - 15 Maj, 2020

schedule 22:39 - 15 Maj, 2020

Një muaj pas prezantimit nga kreu i qeverisë garancia e dytë sovrane me vlere prej 150 mln USD është bërë efektive. Vendimi është zbardhur në fletoren zyrtare ku janë përcaktuar edhe detajet në baze të cilave mund të aplikojnë bizneset.

Nga kjo kredi do të përfitojnë të gjithë sektorët e ekonomisë dhe interesi parashikohet të jetë 5% .Vlera e huas që mund të marrë një biznes mund të variojë në përputhje me kërkesat por nuk mund të kalojë vlerën 300 mln lekë.

Mundësia e financimit është me një afat 5 vjeçar dhe ofron mundësinë për të mos paguar principalin për një periudhë 6 mujore. Në këtë draft përcaktohet se qeveria garanton 60% të principalit të çdo huaje dhe 40% vetë biznesi.

Në asnjë rast Ministria e financave nuk merr përsipër garantimin e interesave, kamat vonesave apo penalitete të çdo lloji që  mund të burojë nga huat që do të lëvrohen nga bankat e nivelit të dytë.

Bizneset që do të aplikojnë nuk duhet të kenë detyrime tatimore të papaguara për 3 periudhat tatimore njëkohësisht,dhjetor 2019 dhe janar-shkurt 2020 duke përjashtuar tatimpaguesit që kane lidhur marrëveshje për pagimin me këste te detyrimeve tatimore.

Po ashtu përjashtohen edhe tatimpaguesit që i kanë detyrimet në proces apelimi në të gjitha shkallët.

Kjo është garancia e dytë që vihet në dispozicion te biznesit për shkak të vështirësive financiare në kohën e pandemisë. Garancia e parë ishte me vlerë 100 mln USD dhe synonte të mbështet biznesin më shlyerjen e pagave./abcnews.al